Festa e Birrës që organizohet në Korçë do të rikthehet edhe këtë vit nga data 18-22 gusht. Mes pjesëmarrësve bie në sy se do të jetë i ftuar edhe këngëtari serb Goran Bregovic. Këtë lajm e kanë konfirmuar vetë organizatorët e festivalit, të cilët e konsiderojnë Bregovic si të ftuar special të natës finale.
“Veç artistëve shqiptarë, DJ dhe grupeve më të njohura muzikore në Shqipëri, atmosfera do të kulmojë në natën finale me performancën e këngëtarit Goran Bregovic”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Ky lajm nuk është pritur aspak mirë nga shqiptarë të Kosovës, të cilët e konsiderojnë Goran Bregovic si një nga artistët që ka frymëzuar masakrat e serbëve kundër Kosovës. Bregovic ishte frymëzues e idhull i ushtrisë vrastare serbe gjatë luftës në Kosovë sidomos me këngën “Kalashnikov”.
Artistja e radhës që reagoi ndaj këtij lajmi, ishte Besa Kokëdhima, e cila ka bërë thirrje që të bojkotohet pjesëmarrja e tij në këtë festë pasi sipas saj, ai është një artist i mirë, po jo dhe njeri i mirë.
“Ai është një artist i mirë por dukshëm jo edhe një njeri i mirë. Bojkotojeni. Mos lëndoni motrat dhe vëllezërit tanë nga Kosova. Nuk ka arsye që ai të jetë i ftuari yll në një event kaq tradicional. BOJKOTOJENI”, shkruan Besa.
fax