Gega shënoi historinë duke e çuar Shqipërinë për herë të parë në një finale të niveleve të tilla dhe në fund ia doli me kokën lart, duke u renditur në vendin e 13-të në renditjen e përgjithshme në 3000 metra me pengesa për femra.

Padyshim që të gjithë do të dëshironim një medalje për atleten kuqezi, por dhe të rënditesh e 13 në planet është medalje, për një vend të vogël si Shqipëria dhe për sakrificat e saj pas një viti të vështirë.

Atletja jonë e mbylli garën në vendin e 13-të me kohën, 9:34.10, një kohë fantastike dhe rezultat i jashtëzakonshëm si garim i parë për një sportiest kuqezi në finalen e një Olimpiade.

Me garimin e Luiza Gegës përfundon edhe aventura e Shqipërisë në Lojërat Olimpike.

Më herët, pasi të ia ka dalë që të jetë në finalen e Lojërave Olimpike, ajo ka reaguar duke shprehur gjithë lumturinë për këtë arritje të saj.

Postimi i Luiza Gegës

“Thjesht një vajzë në finale të LOJËRAVE OLIMPIKE Tokyo2020. Dhe ku, për herë të parë sporti i atletikës shqiptare shkon në një finale olimpike. Uroj shumë ta kem këmbën e mbarë!

Sa shumë do të thotë kjo për mua, doja të kisha një kujtim të bukur nga këto lojëra dhe ia dola. Jam lodhur shumë për të qenë këtu, por kur ti e realizon atë që do, çdo lodhje ia vlen dhe emocionet që merr nuk mund t’i blesh me asgjë.

Faleminderit pa masë të gjithëve, për urimet që më keni dërguar. Dhe faleminderit nga zemra të gjithëve atyre që më mbështetën në rrugëtimin tim dhe besuan tek unë!”