Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani thotë se nuk do të heqë dorë nga “arritjet” e bëra në 20 vjetët e fundit dhe se konsultimet për t’i dhënë fund dhunës, janë duke u zhvilluar.
Ghani bëri një adresim televiziv më 14 gusht, që është paraqitja e parë në publik që prej avancimit të talibanëve ditëve të fundit.
Kryengritësit kanë marrë nën kontroll shumicën e territorit në veri, perëndim dhe jug të Afganistanit dhe po zhvillojnë luftime me forcat qeveritare në jug të kryeqytetit, Kabul.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se deri më 31 gusht do të tërheqin trupat nga Afganistani, duke rritur shqetësimet lidhur me mbijetesën e qeverisë së Ghanit, që mbështetet nga Perëndimi.