NASA i është kundërpërgjigjur komenteve nga pala ruse të cilët pretendonin se astronautja Serena Aunon-Chancellor shpoi një vrimë në International Space Station (ISS) në 2018 për të përshpejtuar rikthimin në Tokë pasi po vuante nga krizat psikologjike akute.
Sipas një raportimi në agjensinë shtetërore të lajmeve ruse tregohet se janë shpuar disa vrima nga një person që nuk ishte i njohur me dizajnin e modulit dhe pa mbështetjen e duhur për të siguruar shpim të saktë në forca gravitacionale të vogla. Ata pretendojnë se astronautja e NASA e shpoi këtë vrimë pasi vuri re një mpiksje të gjakut në venën jugulare të cilën duhet ta kuronte vetë, gjë që çoi në “kriza psikologjike akute”.
Në gusht të vitit 2018 astronautët nxituan për të mbyllur gropën e cila gjendej në murin e jashtëm të kapsulës së Soyuz. Origjinat e këtij shpimi janë ende misterioze, pavarësisht akuzave dhe spekulimeve nga të dyja anët.
“Unë mbështes tërësisht Serena-n.” u shpreh drejtuesi i NASA, Bill Nelson në Twitter.
Vrima në murin e jashtëm të Soyuz besohet të ketë ndodhur gjatë një riparimi nga inxhinierët në Tokë. Dhe kjo gjë u vu re vetëm në 30 gusht, 3 muaj pas “ankorimit” të kapsulës, pasi presioni i ajrit kishte filluar të binte në kabinë.