Është shpallur në fletoren zyrtare ditën e sotme, kërkesa për të shpronësuar godinën e “Sarajeve” të Toptanëve në Tiranë, e cila pak ditë më parë u përfshi nga një zjarr i qëllimshëm. Në vendimin e botuar në fletoren zyrtare theksohet se në bazë të kërkesës për shpronësim, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin ka vlerësuar me vlerën rreth 1 miliardë e 700 milionë lekë të vjetra dëmshpërbimin e 17 pronarëve.

Me finalizimin e shpronësimit prona do të kalojë në pronësinë e Bashkisë Tiranë e cila sipas të dhënave të deritanishme do ta shndërrojë në muze kulturor.

Njoftimi i plotë: Agjencia Shtetërore për Shpronësimin shpall kërkesën për shpronësim, për interes publik, të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Restaurimi dhe rijetësimi i

‘Banesa e Toptanasve’, Muzeu Etnografik i Tiranës”.

Subjekti kërkues i këtij projekti është Bashkia Tiranë. Me anë të këtij publikimi kërkojmë të vëmë në dijeni personat e prekur nga ky shpronësim, për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të cilët do të kompensohen, sipas vlerësimit paraprak të llogaritur, bazuar në VKM-në nr. 89, datë 3.2.2016, “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”, për pasuritë e llojit “truall”, si dhe bazuar në VKM-në nr. 138, datë 23.2.2000, “Për kriteret teknike të vlerësimit dhe të përllogaritjes së masës së shpërblimit të pasurive pronë private, që shpronësohen, të pasurive që zhvlerësohen dhe të të drejtave të personave të tretë, për interes publik”, për pasuritë e llojit “ndërtesë banimi”, konfirmuar me çmim mesatar shitblerjesh nga ASHK-ja, Drejtoria Vendore, Tirana Veri, me shkresën nr. 2482/5 prot.., datë 17.8.2021, sipas tabelës paraprake bashkëlidhur.

Vlera totale paraprake e shpronësimit është 178 694 456 (njëqind e shtatëdhjetë e tetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë) lekë.

KRYETAR I KOMISIONIT TË POSAÇËM TË SHPRONËSIMEVE Klodiana Guci

Kujtojmë se kërkesa për shpronësimin e pronarëve të godinës u bë publikisht me dije nga kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, i cili pas zjarrit të qëllimshëm deklaroi se prona do të blihej nga shteti me qëllim bërjen e saj muze.

Dyshohet se zjarri i qëllimshëm kishte për synim djegien e godinës, e cila është një monument kulturor i kategorisë së parë, për t’i hapur më pas rrugë ndërtimit të një kulle në truallin e godinës historike.