Policia është duke kërkuar në dy pista mbi ekzekutimin mafioz të Bledar Muçës mbrëmjen e djeshme në Lushnje, ku mbetën të plagosur edhe pesë persona. Lokali ishte plotë me klientë kur një person që zbriti nga një makinë “Golf” qëlloi 21 herë ndaj Bledar Muçës duke e lënë të vdekur në vend.
Grupi hetimor është duke kërkuar të dhëna mbi prishjen e pazareve të drogës mes grupeve në këtë qytet, por edhe më gjerë, si edhe ndonjë konflikt mbi lidhjet familjare të viktimës.
Mes të plagosurve ishin edhe Judin Velo, kunati i Muçës, i cili ndodhej aty në atë moment. Mësohet se Velo është në gjëndje të rëndë shëndetësore pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve.
Menjëherë pas vrasjes policia bllokoi të gjitha hyrje-daljet në Lushnje duke kontrolluar çdo automjet me qëllim kapjen e autorëve, por pa rezultat. Pak minuta pas ngjarjes në fshatin Thanasaj të Lushnjes është gjetur një automjet i djegur i cili dyshohet se u përket autorëve.
Një burim i tha Abcnews.al se Muça nuk njihej si tip problematik në Lushnje. Ai ishte i martuar me mbesën e Roland Shytit, personazh i dosjes “Hakmarrja për Drejtësi” i njohur me nofkën “Mustaqekuqi”. /abcnews.al