Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit ka njoftuar se, bazuar në informacionin e marrë nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë, punonjësit e doganës greke do të zhvillojnë grevë ditën e diel, më 27 korrik 2026, duke sjellë pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së automjeteve në disa pika kufitare me Shqipërinë.
Sipas njoftimit, greva do të zhvillohet sipas këtij orari:
PKK Kakavijë dhe Tre Urat (Përmet): nga ora 07:00 deri në 11:00 (me orën shqiptare);
PKK Kapshticë (Korçë) dhe Qafë Botë (Sarandë): nga ora 05:00 deri në 09:00 (me orën shqiptare).
Gjatë këtyre intervaleve kohore, do të pezullohet kalimi i automjeteve në pikat kufitare të sipërpërmendura.
Ndërkohë, sipas informacionit të përcjellë nga Policia Kufitare e Janinës, do të lejohen të kalojnë vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore, si ambulancat. (A2 Televizion)






