Pas triumfit fantastik në “Euro2020”, Italia zbret në fushë për kualifikueset e Botërorit, gjithçka nis nga Firence aty ku presin Bullgarinë. Interesimi është i madh për të parë sërish në aksion “azzurrët” e Mancinit, një skuadër që nuk resht se befasuesi, por këtë herë diskutimi është ndryshe pasi Italia vjen me një tjetër stof. Mancini pret nga të besuarit e tij të njëjtën sjellje për tu përmirësuar akoma më shumë
“Nga këtu deri në Botëror mund të përmirësohemi akoma, por duhet të jemi të kujdesshëm pasi luajmë kundër futbollistëve që kanë 8-9 ndeshje në këmbë. Për momentin e vetmja gjë e rëndësishme është të kualifikohemi sa më shpejt. Mendoj se pas europianit ka ndryshuar edhe mënyra se si na shohin kundërshtarët.
Ne jemi të aftë të mbrohemi më mirë se çdo skuadër tjetër, për ketë nuk ka dyshime, por një skuadër e fortë duhet të dijë edhe të mbajë topin e të sulmojë. Ne ditëm ta bëjmë këtë, u përballëm me të gjithë me të njëjtin mentalitet. Ajo që pres tani nga ekipi është ta nisim aty ku e lamë. Jorginho? Ai e meriton “Topin e Artë” pasi po bën mirë prej vitesh”, u shpreh Mancini.
(BalkanWeb)