Në Lezhë janë arrestuar 3 persona si rezultat i operacionit të koduar “Shëngjin” të organizuar nga policia e qarkut.

Njëri prej të arrestuarve është 27 vjeçari Serxhio Gjonaj i cili kishte edhe precedentë të mëparshëm kriminalë, ndërsa dy shtetasit e tjerë janë të mitur konkretisht L. F., 17 vjeç dhe K. N., 16 vjeç.

Të arrestuarit kryenin veprën penale të shpëndarjes së lëndëve narkotike, duke e shtiur pasi e përgatisnin në doza. Ndërsa gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre janë sekuestruar sasi të tjera të lëndës narkotike dhe gjithashtu municion luftarak.

Njoftimi i Plotë

Lezhë

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shëngjini”.

Operacioni i zhvilluar nga strukturat e Policisë Lezhë, me mbështetjen e Forcës Operacionale në DPPSH, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Sekuestrohet një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje, dhe një sasi lënde narkotike canabis sativa.

Gjithashtu, sekuestrohen armë zjarri pistoletë, 4 krehra, municion luftarak, peshore elektronike, një automjet dhe një sasi lekësh të dyshuara të përftuar nga shitja e lëndës narkotike.

Vihen në pranga 3 shtetas, posedues të lëndës narkotike dhe të armës së zjarrit.

Në zbatim të Planit të Masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e autorëve që mbajnë armë zjarri pa leje, atyre që shpërndajnë lëndë narkotike dhe personave në kërkim”, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, pas një hetimi disajavor, u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “ Shëngjini”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Serxhio Gjonaj, 27 vjeç, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje;

L. F., 17 vjeç dhe K. N., 16 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë.

Shërbimet e Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për implikimin e këtyre shtetasve në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në Shëngjin, Lezhë, pas një hetimi disajavor, kanë ushtruar kontroll në ambientin ku këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgatisnin lëndën narkotike në doza, për shitje.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza më lëndë narkotike të dyshuar kokainë, një sasi lënde narkotike cannabis, armë zjarri pistoletë, municion luftarak, peshore elektronike, një sasi lekësh të dyshuara të përftuara nga ky aktivitet i paligjshëm dhe një automjet.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.