Mercedes-Benz prezantoi disa makina elektrike gjatë IAA Mobility Show në Gjermani, duke përfshirë këtu dhe makinën e parë elektrike AMG dhe një koncept të G-Class SUV, të cilat bëjnë pjesë në planet e kompanisë për t’u shndërruar në një prodhues të makinave tërësisht elektrike deri në fundin e kësaj dekade. Ky investim për t’u shndërruar në një prodhues makinash elektrike mban faturën prej €40 miliardë.
Ndiqni më poshtë versionet e reja të makinave elektrike të prezantuara nga Mercedes-Benz.
Mercedes-Benz EQB
Kjo makinë familjare 7 vendëshe do të dalë në treg në vitin 2022, dhe do të ofrohet në disa versione të ndryshme me 255 ose 288 kuajfuqi, ku autonomia e ofruar do të jetë rreth 419 kilometra. Versioni me autonomi më të lartë do të prezantohet më vonë gjatë atij viti.
Mercedes-Benz EQE350
Kjo makinë është zgjedhja e duhur për të gjithë personat që dëshironin të blinin një EQS por nuk e përballonin çmimin e saj. EQE350 do të ketë një motor të vetëm elektrik që do të prodhojë 288 kuajfuqi. Versioni me baterinë 90kWh do të sigurojë një autonomi prej 660 kilometrash. Shumë nga shërbimet e ofruara në EQS do të përfshihen dhe në EQE350.
Mercedes-AMG EQS 53 4Matic+
Përgatituni për fuqi dhe performancë! AMG EQS do të jetë makina e parë elektrike AMG e prodhuar në bazë të arkitekturës së EQ. Kjo makinë ofron njëkohësisht fuqinë, format e rafinuara dhe luksin. Dy motorët elektrikë ofrojnë në total 658 kuajfuqi, duke arritur shpejtësinë nga 0-100km/h në vetëm 3.4 sekonda. Autonomia pritet të jetë rreth 580 kilometra.
Mercedes Concept EQG
EQG do të jetë G-Class i makinave elektrike. Mercedes nuk ofroi shumë informacione mbi këtë makinë, pasi ka ende shumë kohë para se kjo makinë të prodhohet masivisht. Megjithatë u bë e ditur se do të vijë me 4 motorë elektrikë që do të mund të kontrollohen individualisht.
Mercedes Maybach Concept
Ky koncept SUV do të jetë Maybach i parë tërësisht elektrik në historinë e gjatë të saj. Maybach EQS ofron shërbimet klasike të modeleve old-school të ndërthurura me teknlogjinë më të avancuar të linjës EQ. Modeli me autonomi prej 600 kilometrash pritet të prezantohet gjatë viti 2023.