Kjo teknologji bën të mundur që makinat Volvo të komunikojnë me njëra-tjetrën dhe të paralajmërojnë drejtuesit e makinave sa herë gjenden pranë rreziqeve në rrugë ose rrugëve të rrëshkitshme.
Hazard Light Alert dhe Slippery Road Alert u prezantuan për herë të parë në vitin 2016 në serinë 90 të makinave të Volvo në Suedi dhe Norvegji. Tani këto shërbime janë të aksesueshme dhe në shtetet e tjera të Evropës dhe vijnë si një standard në të gjitha modelet e reja të vitit 2020 dhe 2021 (mund të aktivizohet në një numër të përzgjedhur modelesh të mëparshme).
“Shpërndarja e të dhënave në kohë reale midis makinave mund të ndihmojë në parandalimin e aksidenteve. Tashmë përdoruesit e makinave Volvo do të kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në sigurinë e drejtuesve që kanë aktivizuar këtë shërbim, ndërkohë që dhe vetë do të përfitojnë nga njoftimet e shpejta mbi situata të rrezikshme në rrugë.” tha drejtuesi i Safety Centre në Volvo Cars, Malin Ekholm.
Studimet mbi sigurinë nga Volvo tregojnë se rregullimi i shpejtësisë sipas situatës aktuale të lëvizjes mund të ulë radikalisht rrezikun për aksidente. Duke i lajmëruar drejtuesit rreth rreziqeve që gjenden në rrugë para se ato të ndeshen me atë situatë, ata arrijnë të adoptojnë shpejtësinë e duhur për të shmangur aksidentet rrugore.
Me lançimin e këtij shërbimi në Evropë, Volvo fton të gjithë përdoruesit të bëhen pjesë e kësaj ndihmese duke kontribuar me të dhëna anonime mbi situatën e trafikut në vendin ku ndodhen.
“Sa më i madh të jetë numri i makinave që e kanë aktivizuar këtë shërbim, aq më të sigurta rrugët tona bëhen. Ne shpresojmë të bashkëpunojmë me partnerë të tjerë që janë të vendosur për të rritur sigurinë në rrugë.” shtoi Ekholm.
Ky sistem sigurie i zhvilluar nga Volvo është i pari në industrinë e makinave dhe kompania ka vendosur që të bëjë njohuritë e saja lehtësisht të aksesueshme përmes kësaj biblioteke dixhitale, e cila nxit këtë industri t’i përdorin në interes të rrugëve më të sigurta për të gjithë drejtuesit.