Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vendosur të largojë nga grupi parlamentar ish-kryeministrin Sali Berisha, derisa të dalë në dritë e vërteta, e vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit.https://90660cc6f4e209401ebe767cb48c2785.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html
Në mbledhjen e zhvilluar në orët e vona në Partinë Demokratike Basha u tha deputetëve se ky vendim është personal dhe kostot e këtij vendimi duhet të bien vetëm mbi të.
“Mora këtë vendim për t’ju çliruar ju. Kosto e këtij vendimi të bien vetëm mbi mua. Jam 100% i bindur, pa ekuivoik, që është në interesin madhor të PD. Qëndrimi i SHBA është i qartë. Ka nisur që me vizitën e Riker. Na është përcjellë vendimi i qartë i SHBA. Sot ishte afati i fundit, kur PD duhet të shprehej. Ky vendim ishte si në interesin e PD, dhe të Sali Berishës. Meqë ia premtova Sali Berishës, dua t’ju komunikoj se ky vendim nuk është i dakordësuar me të, pavarësisht përpjkjes sime për të arritur një dakordësi”- tha Basha.Top Channel mëson se pas këtij vendimi të Bashës të shumtë ishin deputetët që e kundërshtuan. Disa prej tyre thanë se kjo i jep Ramës atë që ëndërronte, ndërsa të tjerë janë shprehur se ky vendim nuk duhet të merrej vetëm nga Basha por duhet të hidhej në votim.
Kundër vendimit të Bashës u shprehën
“Vendim i gabuar, përçahet PD. Është gabim i rëndë”– u shpreh Bujar Leskaj. Edhe Tritan Shehu ishte kundër i cili tha: “Kam qenë kryetar i partisë, por të tilla vendime nuk duhet të merren nga 1 njeri, sepse vihet në dyshim ekzitenca e partisë. Këtë vendim nuk e merr dot ti, sepse PD ka forume”.
Flamur Noka e shikon përjashtimin e Berishën nga PD si plotësimi i ëndrrës së Ramës dhe kjo ëndërr u plotësua pikërisht nga Basha. “Folëm në zyrë, por do ta shpreh edhe këtu. Mohimi i Sali Berishës, është mohim i PD. Me këtë vendim, po i jepni PD-së goditje të rëndë. Po i jepni Ramës atë që ai ëndërronte. Vendimi duhet të shkojë për referendum në anëtarësi”- tha Noka.
Oerd Bylykbashi këtë vendim e shikon si përçarës të partisë më të madhe të opozitës. “Vendimi do të sjellë përçarje, jo vetëm horizontale, por dhe vertikale, nga lart-poshtë. Ne kemi marrë 622 mijë vota, por a na çon ky vendim tek 750 mijë vota nesër, sepse do të ketë pasoja”- tha Bylykbashi.
Albana Vokshi u shpreh se ky vendim është i gabuar dhe nuk duhet të merrej vetëm nga kryetari por të çohej në votim. “Është vendim tronditës. Jam kundër vendimit, por mund ta kem subjektiv, për shkak të marrëdhënies që kam prej vitesh me Sali Berishën. Unë nuk jam e bindur si ju zoti kryetar që vendimi është në interes të PD. Nga qindra mesazhet që kam marrë, më rezulton së është vendim i gabuar, pasi shumica e demokratëve janë kundër. Ju thatë që mbani barrën, por barrën duhet ta mbajmë të gjithë dhe vendimi të votohet në forume. Nëse ju dobësoheni, dobësohet partia, ndërsa ne si ekip punojmë për t’ju rritur ju. Ne duhet të shprehemi me vote sepse jemi parti e mendimit të lirë”- tha Vokshi.
Kreshnik Çollaku e shikoi këtë si një veprim vetëkryqëzues. Ai tha: “Pse ta hedhim në votë? Asnjë nuk do ta votonte, kështu që le ta marrë peshën kryetari. Ështe një vendim vetëkryqëzues”.
Pro vendimit të Bashës u shprehën
Ndërkohë që Luçiano Boçi nuk është se ka dalë kundër vendimit. Ai tha se “vendimi është i rëndë, por duhet të shohim çfarë të bëjmë nesër në kuptimin strategjik. Sepse vendini mund të merrej jashtë partisë. Ta bënte KQZ dhe jo ne”.
As Enkelejd Alibeaj nuk ka dalë kundër vendimit të Bashë duke u shprehur: “Sot nuk është funeral. Nesër do të ndriçojë dielli përsëri. Nuk jam dakord me parafolësit që kundërshtojnë vendimin. Vendimi duhej marrë dhe duhej marrë vetëm nga kryetari. Ky është një moment historik për PD dhe për ju si kryetar. Do të duhet ta kapërdijmë këtë moment, dielli lind përsëri”.
Ndërkohë deputeti Agron Gjekmarkaj doli pro vendimit të Bashës duke e cilësuar vendimit e tij një akt moral të fortë. ”Duket që ka rënë rrufeja në grup parlamentar. Nga procedura demokeatike vendimi lë shumë për të dëshiruar, por nga ana morale është akt i fortë. Është i një lideri dhe na çliron ne nga pesha. Si do ta zgjidhim me SHBA është çëshjtja, sepse pa atë nuk jetojmë. A duhet kryqëzuar Sali Berisha për këtë?
Top Channel