NJOFTIM
Shpallen kandidatët zyrtarë për Këshillin e Lartë Gjyqësor
Në mbështetje të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe në përfundim të procesit të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, Gjykata e Lartë shpall zyrtarisht listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, si më poshtë:
Nga Gjykata e Lartë:
Asim Vokshi
Klodian Kurushi
Nga Gjykatat e Apeleve:
Vojsava Osmanaj – Gjykata e Apelit Shkodër
Ridvan Hado – Gjykata e Apelit Tiranë
Nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore:
Manjola Xhaxho – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Irena Plaku – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në bazë të parashikimeve ligjore, Këshilli i Lartë Gjyqësor është organ kolegjial i përbërë nga 11 (njëmbëdhjetë) anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë.
Prej këtyre, 6 (gjashtë) anëtarë të Këshillit janë gjyqtarë nga të gjitha nivelet e pushtetit gjyqësor, nga të cilët; 1 anëtar nga Gjykata e Lartë, 2 anëtarë nga Gjykatat e Apelit; dhe 3 anëtarë nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore.
Bazuar në nenin 13, pikat 1 dhe 4, si dhe nenin 247, pika 1, shkronja d) të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në datë 08.10.2021, ora 11.00, në mjediset e Këshillit të Lartë Gjyqësor do të zhvillohet Mbledhja e Përgjithshme e gjyqtarëve të të gjitha niveleve me këtë rend dite:
Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Zgjedhja e anëtarit të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, nga radhët e gjyqtarëve me përvojë.
Për pikën e parë të rendit të ditës Gjykata e Lartë ka bërë njoftimin lidhur me kandidaturat që do të marrin pjesën në garën për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Për pikën e dytë të rendit të ditës Gjykata e Lartë iu bën thirrje gjyqtarëve me përvojë, që kanë kontribuar si ekspertë në programin e trajnimit fillestar dhe vazhdues apo në programe të tjera pranë Shkollës së Magjistraturës të paraqesin kandidaturën e tyre për anëtar të Këshillit Drejtues, duke depozituar aplikimin pranë kësaj gjykate.