Një i ri shqiptar i cili goditi me thikë një tifoz britanik të futbollit, pasi ai iu ankua se po i bllokonte shikimin në një prej ndeshjeve të Anglisë në Europian, është burgosur për nëntë vite.
Plumb Hysa, 30 vjeç, goditi brutalisht 59-vjeçarin pasi ata festuan fitoren e çerekfinales së “Tre luanëve” kundër Ukrainës.
Shtetasit shqiptar i ishte kërkuar që të mos bllokonte televizorin gjatë lojës, ndërsa mbështetësit e kombëtares britanike u mblodhën në Hotel Mill në Chester më 3 korrik.
Por, gjatë ndeshjes, i riu shqiptar u armatos me një thikë, të cilën e fshehu në brezin e pantallonave.
Siç shkruan “Mail”, viktima dhe autori u panë më pas duke shkuar në tualet me flamurin e Britanisë mbi supe. Ishte ky moment kur Hysa goditi tri herë me “egërsi” viktimën e tij.
Pas ngjarjes, 59-vjeçarit iu desh t’i nënshtrohej një ndërhyrje emergjente kirurgjikale, pasi thika i shpoi zorrën, duke shkaktuar gjakderdhje të brendshme, ndërsa njëra plagë ishte pranë zemrës.
Hysa banues në Bootle, u deklarua fajtor për plagosje me pasoja të rënda trupore dhe posedim të një arme të ftohtë. Ai u burgos për 9 vjet në Gjykatën e Chester të enjten.
Në foton e shpërndarë nga Policia, Hysa mund të shihet me sy të nxirë pasi u godit nga shoku i viktimës gjatë arrestimit.
Prokurori Simon Duncan tha se viktima kishte qenë me miqtë si pjesë e një feste atë pasdite për ndeshjen e Anglisë që filloi në orën 20:00.
Pamjet e kamerave të sigurisë treguan se në orën 19.53, pak para fillimit të ndeshjes, Hysës iu kërkua dhe iu bë me shenjë të lëvizte pasi po bllokonte televizorin. Ai iu bind urdhrit, duke mos shfaqur rezistencë, por dy minuta më vonë shkoi për të marrë thikën.
Në deklaratën e tij për ngjarjen, 59- vjeçari tha se ende kërkonte trajtim spitalor dy muaj më vonë, duke shtuar se kishte vështirësi për të fjetur.
Gjatë seancës, gjykatësi Patrick Thompson tha: “Ju filluat një sulm të egër me atë thikë, gjatë së cilës e goditët viktimën tri herë, duke i shkaktuar atij lëndime serioze. Ashtë çështje fati që ai nuk u vra. Është e qartë se atë natë e keni humbur të gjithë arsyen. Ju kishit qëllim të shkaktonit dëm serioz për kë”.