Fax News ka zbardhur kërkesat e deputetëve të LSI-së për të qenë pjesë e Komisioneve Parlamentare në Kuvend, edhe pse nuk kanë mundur që të krijojnë grup parlamentar të vetin, për shkak se kanë fituar 4 mandate nga 7 që është e nevojshme.
Kështu nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka kërkuar që të jetë pjesë e Komisionit të Shëndetësisë, Erisa Xhixho kërkon të jetë anëtarë e Komisionit të Ligjeve, ndërsa Agron Çela pjesë e Komisionit për Sigurinë Kombëtare.
Vetë Kryemadhi, e cila është kryetare e LSI-së nuk ka bërë kërkesë që të jetë pjesë e komisioneve parlamentare. Po ashtu të tre deputetët e LSI-së kanë kërkuar që të jenë pjesë e përhershme e delegacioneve jashtë vendit, që ligjvënësit shqiptarë do të kenë gjatë këtyre viteve.
Vendet e LSI-së në Komisionet Parlamentare shkaktuan një përplasje të fortë gjatë seancës së fundit në Kuvend, ku PD nuk donte të hiqte dorë nga vendet e saj, dhe PS deklaronte se LSI duhet të ishte pjesë e vendeve të caktuara për opozitën.
Shumica socialiste kërkoi rindarjen e anëtarëve të komisionit të PD-së, duke qënë se kjo e fundit ka propozuar një deputet në dy komisione njëherësh. Kryetari i grupit të PS-së Balla u shpreh se PD duhet të heqë anëtarët e komisionit të emëruar dy herë dhe t’i japë hapësirë deputetëve të LSI-së.
Sipas Ballës, bazuar në përcaktimin e rregullores së Kuvendit për ndarjen e vendeve në Komisione, PD duhet të ketë më pak anëtarë se sa PS. Kjo gjë nuk u pranua nga PD, deputetët e së cilës u larguan nga Kuvendi. Tashmë mbetet për tu parë sesi do të procedohet pas kërkesave zyrtare të deputetëve të LSI-së.
Çfarë thotë rregullorja e Kuvendit:
Në komisionet e përhershme marrin pjesë të gjithë deputetët dhe përbërja e tyre, për aq sa është e mundur, pasqyron grupet parlamentare, sipas përpjesëtimit që zënë në Kuvend.
Si rregull, deputeti mund të jetë anëtar vetëm i një komisioni të përhershëm.
Në respektim të raporteve shumicë parlamentare – opozitë, deputetë të caktuar mund të jenë anëtarë të jo më shumë se dy komisioneve të përhershme.
(E.K/Faxweb.al)