MARIGLEN KUME/ Mbledhja e parë e kryetarëve të komisioneve parlamentare në Parlament mes maxhorancës dhe opozitës është shoqëruar me debate dhe mosdakordësi.

Edi Rama-konferenca kryetareve

Një çështje që krijoi debat dje në takimin me dyer të mbyllura të Konferencës së Kryetarëve ishte koha që do të kishte në dispozicion çdo deputet për të folur. Socialistët, referuar edhe kushteve të pandemisë, kërkonin që fjala e çdo deputeti të mos zgjaste më shumë se 3 apo 5 minuta.

Por kjo u kundërshtua nga deputetët e opozitës. Këta të fundit kërkuan që, siç parashikon Rregullorja e Kuvendit, koha e çdo deputeti për të folur të jetë 10 minuta. Sipas tyre, në Parlament ka deputetë të cilët vijnë për herë të parë dhe duan të flasin. Ndërkohë nuk kanë munguar rezervat e opozitës për Kryeministrin Rama.

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, kërkoi që diskutimet të ishin konstruktive dhe jo pa vlerë, por sipas deputetes së opozitës Albana Vokshi, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, duhet të tregohet e kujdesshme me Kryeministrin Rama, i cili sipas saj, përgojon gratë e opozitës. “Kështu e bëri edhe në fushatë” ka thënë Vokshi.

Mimi Kodheli: Duhen diskutime konstruktive, mos të humbim kohën kot me debate pa vlerë.

Albana Vokshi: Jam dakord me atë që tha znj. Kodheli, por më duhet t’i kujtoj se personi që ka fyer më shumë aulën e Kuvendit është Edi Rama, që na ka përgojuar të gjitha ne grave e burrave. E hapi fushatën duke përfolur ne gratë kandidate të PD-së dhe mund të vazhdojë me të njëjtin shembull në seance.

Ju zonja Nikolla duhet që t’ia ndërprisni fjalën e Edi Ramës nëse e përsëriste ose të merrte masat e duhura për të siguruar etikën. Si çdo gjë që e bëni për fasadë, edhe në Parlament ashtu bëni. Silleni sikur toleroni dhe nuk merreni me opozitën, por në fakt vendimmarrjet tregojnë të kundërtën.

Mesila Doda: Partia Socialiste ka të gjitha pushtetet, ndërsa opozita ka vetëm fjalën. Të kufizoni edhe fjalën kjo nuk është normale. Në Parlament ka deputetë të rinj, por edhe të tjerë të cilët duhet të flasin. Nuk keni pse të kufizoni kohën e diskutimin.

Arben Pëllumbi: Mbledhja parlamentare duhet të vazhdojë pa ndërprerë derisa të mbyllen të gjitha diskutimet. Nuk mund të ndërpritet dhe të vazhdojë ditën tjetër, se pastaj nuk quhet një seancë plenare, por dy të tilla.

Mesila Doda: Nuk mund të quhen dy seanca. Por siç ka pasur edhe precedent të mëparshëm, ndërpritet mbledhja dhe vijohet ditën tjetër. Nuk mund të zgjasë mbledhja deri në orët e para të mëngjesit, sepse mbledhjet bëhen publike për qytetarët.

panaroma