Pas debateve në mbledhjen e sotme të PD-së me kryedemokratin Basha, deputeti Flamur Noka nuk i ndal akuzat ndaj tij duke thënë se nesër ai do të përpiqet të sabotojë Foltoren e Sali Berishës në Fier por sipas tij asgjë nuk do e ndalë rrugëtimin e saj.
Në emisonin e ‘Çim Peka LIVE’ Noka deklaroi po ashtu se kryetari i Fierit dhe të tjerë do e presin Sali Berishën pasi ai është i vetmi që i ka dhënë sukses kësaj partie.
Ai theksoi se vendimi për përjashtimin e Sali Berishës ështën në funksion të shkrirjes së PD-së.
Noka:
“Basha ka thirrur drejtuesit e PD-së në Fier që të jenë nesër në Tiranë. Por asgjë nuk e ndal rrugëtimin e Foltores. Po vazhdon presioni ndaj strukturave të PD për të ndaluar rrugëtimin e Fierit.
Edhe kryetari i Fierit, edhe të tjerët ia kanë bërë të qartë se do e presin Sali Berishën sepse është historia, lavdia dhe suksesi i kësaj partie. Ai është i vetmi që i ka dhënë sukses kësaj partie.
Unë do të jem pa diskutim në Fier. Unë jam për një parti më të bashkuar dhe më të fortë.
Takimi i nesërm do të jetë një nga takimet më të shkëlqyera që ka zhvilluar ndonjëherë PD në Fier.
Demokratët atje kanë besim dhe shpresë te kjo lëvizje, pasi te lideri aktual ka humbur besimi dhe shpresa,” tha Noka.
Noka mohoi sërish zërat se ka pasur përplasje me zotin Basha dhe me deputetin tjetër, Ervin Salianji.