Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë në lidhje me dënimin me burg të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, gjatë një interviste nga Nju Jorku për televizionin francez “TV5MONDE”.

Rama tha se dënimi i Llallës është një shenjë që pandëshkueshmëria qoftë dhe në radhët e zyrtarëve të lartë do të marrë fund, dhe se Reforma në Drejtësi është duke dhënë frytet e para të saj.

“Fakti që pandëshkueshmëria në Shqipëri nuk është më një normë, fakti që ka njerëz me pushtet që kanë dalë para gjykatës dhe janë dënuar flet vetë… Po bëjmë një luftë të hapur ndaj korrupsionit, për shtetin e të drejtës, dhe ndaj trafikut të drogës dhe kemi bërë përparime të  dukshme në këtë drejtim”– tha ai.

Gjatë intervistës për median franceze, kreu i qeverisë është ndalur dhe te pranimi i shtetasve afganë nga Shqipëria, pas marrjes së pushtetit në Afganistan nga talebanët.

“Nuk ua hapëm derën afganëve me kërkesë të SHBA, të qeverisë së SHBA, e hapëm derën sapo na kontaktuan disa organizata humanitare dhe të drejtave të njeriut dhe thamë “Po”, sepse ne jemi një vend mikpritës”, tha kryeministri Rama.

(E.K/Faxweb.al