Partia Demokratike do të mbledhë këtë të shtunë Grupin e saj Parlamentar, rreth orës 11:00 në selinë blu, ndërkohë që zhvillimet brenda kësaj force politike mbeten të vrullshme.
Mbledhja e deputeteve të selisë blu bëhet për të ravijëzuar qëndrimet dhe dhe aksionet në parlament dhe jo vetëm. Pjesmarrja në Komisionet Parlamentare është një temë e rëndësishme e diskutimeve të parashikuara në mbledhjen e grupit.
Mazhoranca këmbëngul që një pjesë e mbledhjeve të Komisioneve të mbahen online, ndërkohë që opozita kërkon që ato të jenë me prezencën fizike të deputetëve.
Ndërkohë që në mbledhje pritet të flitet dhe për Reformën Territoriale që është një prej prioriteteve të demokratëve, ndërkohë që socialistët kërkojnë konsensus për ndryshimet Kushtetuese, që do të çojnë në zgjatjen e afateve të komisioneve të Vetingut.
Kjo mbledhje e grupit në PD, vjen në një kohë përplasjes brenda kësaj partie, pas vendimit të Lulzim Bashës për të përjashtuar nga grupi parlamentar Sali Berishën. Ky i fundit vijon turin e tij të takimeve me bazën e PD-së dhe pasditen e sotme do të ndalet në Vlorë, ku veç mbështetësve do të pritet dhe nga kryetari lokal i degës së PD.
Lëvizja e Berishës ka sjellë fraksion në PD, ndërkohë që Basha duket i palëkundur nga vendimi i tij se përjashtimi i ish-kryeministrit nga grupi parlamentar është i pakthyeshëm.
Gjatë ditës së djeshme atij i mbërriti në zyrë dhe ambasadorja Kim, e cila i dha porositë e shefave të saj nga Uashingtoni, që i kërkojnë PD-së sipas saj ndarjen nga e kaluara, duke nënkuptuar kështu Sali Berishën.