Kanë dalë detaje të reja nga vrasja tronditëse e efektivit të policisë Saimir Hoxha i cili është qëlluar për vdekje gjatë momentit kur po bënte kontrolle për kultivimin e kanabisit në këtë zonë.
Sipas burimeve të “Fax News”, nuk ka pasur shkëmbim zjarri por ka qenë vetëm një plumb që efektivi i policisë e ka marrë në zemër e cila i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Saimir Hoxha, 44-vjeç gjatë shërbimit ishte i veshur me jelek identifikues por jo me jelek antiplumb.
Burimet bëjnë me dije që Saimir Hoxha ishte duke verifikuar një makinë të panjohur në këtë zonë që dyshohet se është e autorit të ngjarjes Aldo Rama (21 vjeç).
Forca të shumta policie janë duke kontrolluar imtësisht zonën, ndërsa për të kapur autorin janë angazhuar edhe helikopterë të cilët patrullojnë nga ajri.