Kombëtarja e Shqipërisë ka nisur që prej ditës së djeshme grumbullimin dhe stërvitjet intensive në kuadër të dy ndeshjeve shumë të rëndësishme ndaj Hungarisë dhe Polonisë, të vlefshme për kualifikueset e kampionatit Botëror “Katar 2022”. Ditën e sotme, në një konferencë për mediat kanë dalë dy nga futbollistët e Shqipërisë, Ermir Lenjani dhe Nedim Bajrami, të cilët kanë folur për këto ndeshje dhe për dy rivalët direkt në grup për vendin e dytë.
Fillimisht ishte Ermir Lenjani ai i cili iu përgjigj interesit të medieve, ku theksoi se fokusi kryesor është te forca e vetë ekipit, ndërsa u shpreh se skuadra fillimisht mendon vetëm ndeshjen ndaj Hungarisë. Mungesa e tifozëve në transfertën hungareze është një plus për kuqezinjtë sipas Lenjanit, i cili gjithashtu mendon se Kombëtarja aktuale është e mbushur me talente.
Rikthimi në Kombëtare – Jam gati për këto dy ndeshje që kemi dhe fizikisht kam pasur një lëndim të vogël, por tani ndihem shumë mirë.
Atmosfera në grup – Të gjithë ndihemi shumë të mirë e të lumtur me shokët. Tani mendojmë për ndeshjen me Hungarinë, pasi është shumë e rëndësishme për ne. Do fokusohemi më shumë të forca jonë dhe do shohim si do ecë loja.
A do të luaj? – Nuk e di, e vendos trajneri. Ta shohim këtë javë si ecën në stërvitje dhe se çfarë mendon, pasi është ai që vendos.
Tërheqja e Bashës nga futbolli? – Migjeni ka bërë një karrierë shumë të mirë dhe ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për ne të gjithë. I uroj gjithë të mirat.
Polonia?– Mendoj së pari të fokusohemi te Hungaria. Kemi kualitete të larta si lojtarë individualisht por edhe si ekip. Por siç e thashë, do fokusohemi te forcat tona, për të dhënë kualitetet që kemi dhe të fitojmë ndeshjen e parë dhe më pas mendojmë Poloninë.
Mungesa e tifozëve, favor për ne? – Hungaria i ka tifozët shumë të flaktë dhe stadiumi është i mbushur dhe mendoj që është shumë mirë për ne, por duhet të fokusohemi te vetja për të arritur qëllimin.
Kombëtarja më mirë tani? – Mendoj që tani i kemi shumë lojtarë me kualitet që luajnë në Europë, në shumë Liga të mira dhe në Champions League dhe mendoj që tani jemi shumë më të fortë.
Gol në ndeshjen e radhës?– Mendoj vetëm të jap gjithçka në fushë kur të hyj dhe shpresoj të kemi suksese.
Interesit të mediave iu përgjigj edhe mesfushori shqiptar i Empolit, Nedim Bajrami, i cili u shpreh se skuadra është e motivuar pasi në ndeshjet e fundit ka marrë dy fitore dhe gjatë kësaj javë do të përgatitet mirë. Ai foli edhe për diskutimet me trajnerin Reja si dhe objektivat e skuadrës për dy sfidat e radhës.
Të përgatitur për ndeshjen ndaj Hungarisë? – E dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë kundër Hungarisë dhe do të futemi në lojë me vetëbesim se i kemi fituar dy ndeshjet e fundit dhe duhet ta përgatisim lojën shumë mirë.
Presion për të fituar? – Kam bërë dy gola në Serie A dhe jam në formë dhe besoj se nuk kemi presion. Do futemi në ndeshje dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë.
Biseda me Rejën – Kam folur me trajnerin dhe më ka thënë që duhet të punoj me top, por edhe pa top.
Empoli? – Ndihem shumë mirë tek Empoli, jemi tre shqiptarë aty dhe shpresoj që edhe Asllani të futet në ekipin e parë me ne.
Hungaria apo Polonia, cili ekip është më i fortë? – Besoj se të dyja ekipet janë të forta, të dyja ndeshjet nisin 0-0 dhe i dimë kualitetet tona dhe duhet të përqëndrohemi te loja jonë.
Gol për Shqipërinë? – Në fund e vendos Reja se cili luan, por kur të futem në ndeshje do të jap maksimumin dhe shpresoj të shënoj”, u shpreh Bajrami.