Lulzim Basha mbrëmjen e djeshme vendosi që të shkarkonte deputetin demokrat Flamur Noka nga posti i n/kryetarit të Komisionit të Sigurisë dhe e paralajmëroi se do ta përjashtonte nga grupi i PD nëse vazhdonte me retorikën kundër tij, që e cilëson përçarëse, që i intereson vetëm Edi Ramës.

Por si e mori Lulzim Basha këtë vendim?

Gazetari i “ABC” Juxhin Mustafaraj mëson se lideri i PD-së mbrëmjen e djeshme mblodhi katër n/kryetarët e partisë, Jorida Tabaku, Grida Duma, Alfred Rrushaj, Enkelejd Alibeaj, por edhe sekretarin e përgjithshëm të PD-së Gazment Bardhi me të cilët vendosi fatin e Flamur Nokës.

Por kush ia komunikoi vendimin Flamur Nokës?

Gazetari Juxhin Mustafaraj mëson se ishte vetë Lulzim Basha që e ka telefonuar Flamur Nokën duke e njoftuar se e ka shkarkuar nga posti i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë dhe gjithashtu e ka paralajmëruar se nëse vazhdon këtë rrugë që ka nisur do të përjashtohet nga grupi i PD-së.

“ABC” mëson se vendimi i djeshëm i Bashës ishte një goditje e dyfishtë për Flamur Nokën, pasi duke e larguar nga posti i n/kryetarit të Komisionit të Sigurisë i heq të drejtën për të marrë pjesë në Kryesinë e Grupit të PD-së, organ konsultues për vendimmarrjet e PD-së./ db/ Abcnews.al