Organizata Botërore e Shëndetit njoftoi se ka përzgjedhur 25 ekspertë të cilët do të ri-hetojnë origjinën e koronavirusit, pas ekipit të mëparshëm që ishte në Kinë, ku virusi u shfaq për herë të parë në fund të vitit 2019.
Ndër anëtarët e propozuar të ekipit të ri janë virologu holandez Marion Kopman dhe Tea Fischer nga Danimarka, të cilët ishin në ekipin e OBSH -së që vizitoi Kinën në shkurt.
Ata kohët e fundit komentuan se kërkimi mbi origjinën e kovid-19 ishte “ndalur” dhe zyrtarët kinezë ende refuzojnë të japin ndonjë të dhënë.
Pasi ekipi i OBSH përfundoi vizitën e tij në Kinë, ekspertët botuan një raport në të cilin studiuesit e karakterizuan teorinë se virusi e kishte origjinën në një laborator në Wuhan si “jashtëzakonisht të pabesueshme”, gjë që shkaktoi kritika dhe dyshime nga një numër shkencëtarësh se kjo mundësi nuk u testua në mënyrë adekuate.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Gebrejesus më vonë pranoi se lidhja e mundshme midis pandemisë Covid 19 dhe teorisë së rrjedhjes së laboratorit u hodh poshtë “shumë shpejt”.
Ekspertë të shumtë shëndetësorë dhe shkencëtarë kanë bërë thirrje për një hetim të pavarur jashtë OBSH-së, duke vënë në dukje se agjencia nuk ka autoritet të detyrojë vendet, përfshirë Kinën, të bashkëpunojnë.
Kina tha se mirëpriste kërkime të mëtejshme mbi origjinën e koronavirusit, por në vende të tjera.
Një analizë e fundit e inteligjencës amerikane, e urdhëruar nga Presidenti Joseph Biden, nuk zbuloi prova bindëse nëse koronavirusi e kishte origjinën nga laboratori.