Kryetari i PD, Lulzim Basha ka njoftuar se në orën 15:00 të ditës së sotme do të presë në një takim delegacionin amerikan për të biseduar mbi situatën politike dhe ekonomike të vendit. Mësohet se prezente do të jetë edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.

Takimi do të zhvillohet në selinë e PD në Tiranë. Ndërkohë nuk dihet nëse takimi ka lidhje me shpalljen e Berishës non-grata apo me lajmin e marrë ditëve të fundit, ku ambasadorja Yuri Kim vuri në dijeni se dosjet e personave të cilët ishin shpalllur nga SHBA si të korruptuar, do të shkonin në Senatin Amerikan.

Familja e ish-kryeministrit Berisha ishte në “listën e zezë” e cila pritet të shkojë në Kongres. Emrat e Shkëlzen Berishës, Argita Berishës, Jamarbër Malltezit dhe Lirie Berishës duket se do të shoqërojnë atë t ëish-kryeministrit Sali Berisha në dosjen e personave të shpallur non-grata nga SHBA.

Ky takim vjen në një moment, kur situata politike brenda partisë Demokratike nuk është aspak e qetë, pasi demokratët janë ndarë në dy kampe, disa prej tyre mbështesin Berishën ndërsa të tjerët Bashën.

Që prej përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PD, Berisha ka organizuar “foltore” nëpër qytete të ndryshme të vendit me simpatizantë demokratë të cilëve u ka kërkuar që të bëhej e mundur mbledhja e Kongresit të partisë Demokratike për rrëzimin e Bashës nga post ii kryetarit.