Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit Taulant Balla zhvilloi sot një vizitë në fabrikën e montimit e aparateve mjekësore aerosol që përdoren për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme të frymëmarrjes.
Balla deklaron se kjo fabrikë me teknologjinë më të lartë të teknikës mjekësore është ndërtuar falë bashkëpunimit me firmën gjermane “Pari” GmbH, e cila është lidere botërore për aparatet e frymëmarrjes.
Sipas Ballës, klima e mirë e ndaj biznesit dhe bashkëpunimi me Gjermaninë po shtrihet edhe në prezencën e shtuar të bizneseve gjermane në Shqipëri.
“Klima e mirë e ndaj biznesit dhe bashkëpunimi me Gjermaninë po shtrihet edhe në prezencën e shtuar të bizneseve gjermane. Në Elbasan është ngritur një fabrikë me teknologjinë më të lartë të teknikës mjekësore falë bashkëpunimit me firmën gjermane Pari GmbH, e cila është lidere botërore për aparatet e frymëmarrjes”, – theksoi Balla.
“Kjo kompani e cila operon në Elbasan bën montimin dhe shitjen e aparateve mjekësore aerosol që përdoren për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme të frymëmarrjes”, – vijoi Balla.
“Por ajo që është për t’u vlerësuar është modeli gjerman i cili nuk ka lënë pas anën humanitare. Rreth 70 fëmijë, nga familje vulnerabël të zonës, marrin shërbime në qendrën ditore të ndërtuar nga kompania, shërbim ekonomik, edukativ, mjekësor, duke i ndihmuar edhe me ilaçe familjet në nevojë”,- përfundoi Balla. /a.a/r.e/atsh