Ndonëse Shqipëria ishte ndër të parat në rajon, pas Serbisë, që filloi vaksinimin masiv të popullatës, vendi ka mbetur pas dhe tashmë renditet ndër shtetet më të pavaksinuara në Europë (përjashtuar shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik), së bashku me Bosnjë-Hercegovinën.
Sipas të dhënave të Worldindata, të përditësuara deri në datën 21 tetor, vetëm 34% e popullsisë e ka marrë të paktën një dozë (30% i ka marrë të dyja dozat), shumë më e ulët se mesatarja europiane prej 58% (54% të dyja dozat).
Më keq se Shqipëria është vetëm Bosnja me 23% të popullsisë që ka marrë të paktën një dozë (16% të dyja dozat).
Kosova, që ishte e fundit që nisi procesin e vaksinimit në rajon, arriti brenda një kohe të shkurtër të vaksinojë 47% të të popullsisë (38% me të dyja dozat). Ditët e fundit Kosova, e cila mori ndërkohë dhe disa masa kufizuese, nuk ka raportuar humbje jete nga Covid-19.
Edhe Maqedonia e Veriut, që e nisi procesin e vaksinimit përpara Shqipërisë, i ka dhënë të paktën një dozë 38% të popullsisë (37% të dyja).
Serbia, që në pjesën e parë të vitit ishte ndër shtetet e Europës që po i jepnin më shumë doza popullsisë ka mbetur pas, me vetëm 44% të popullsisë.
Shteti më i vaksinuar në Europë është Portugalia (88%) i ndjekur nga Malta (83%), Spanja (81%), Italia (77%).
“The Guardian” raportonte se fundmi se shkalla më e lartë e vaksinimit po përkthehet në nivele më të ulëta të infeksionit Covid dhe vdekjeve në Europën Perëndimore sesa në pjesë të Europës Qendrore dhe Lindore, tregojnë të dhënat e fundit – përveçse në Mbretërinë e Bashkuar ku numri i rasteve po rritet.
Shifrat nga “Our World In Data” tregojnë një lidhje të qartë midis përqindjes së njerëzve të vaksinuar plotësisht dhe rasteve të reja të përditshme dhe vdekjeve. Nga të dhënat rezulton se sistemet shëndetësore në disa shtete të nënvaksinuara të BE-së Qendrore dhe Lindore janë vënë më nën presion nga rastet e reja.
Programet më të ngadalta të vaksinimit në Europën Qendrore dhe Lindore të kombinuara me një lehtësim të kërkesave për distancimin shoqëror gjatë verës kanë çuar në një rritje dramatike të rasteve të Covid në disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore.
Shqipëria, në valën e re të Covid-19, me ritme të ulëta vaksinimi dhe vdekje të larta
Shqipëria po përjeton një tjetër valë të Covid-19. Rastet ditore mbeten mbi 500, ndërsa dhe vdekjet e raportuara janë rritur, duke arritur deri në 17 në fund të muajit shtator, ndëra numri më i lartë i vdekjeve ditore të raportuara zyrtarisht që kur filloi pandemia ishte 21 (në datën 7 mars).
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) bëri të ditur së fundmi se Shqipëria kishte rritjen më të lartë të vdekjeve në Europë në vitin 2020. në 2020-n vdekjet shtesë ishin mbi 20% më të larta së mesatarja e 2015-2019, e para në Europë, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut (rreth 18%) dhe Kosova e treta me rreth 17%. Nga shtetet e rajonit, vdekshmëria më e ulët shtesë ishte në Serbi (rritje rreth 10%), Bosnjë (+15%).
Ministria e Shëndetësisë raportoi se prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,860,335 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 868,964 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës anti-COVID. Ditën e mërkurë, datë 21 tetor, janë kryer 5,720 vaksinime në të gjithë vendin. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,379,960 vaksina antiCOVID.
Të dhënat historike nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se ritmet ditore të vaksinimit në vend janë ulur ndjeshëm, në krahasim me marsin e prillin kur arritën mbi 20 mijë në ditë (shiko grafikun: Ecuria ditore e vaksinimit 11 janar-20 tetor 2021). /Monitor