Deputetët Gazment Bardhi dhe Damian Gjiknuri janë përplasur ashpër në seancën e sotme Kuvend, ku nuk kanë munguar edhe kërcënimet.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka akuzuar Gjiknurin për lidhje me atë që ai e quan “mafiozët e inceneratorëve”. Gjatë fjalës Bardhi publikoi një foto me të dhënat që e sistemit TIMS që sipas demokratit tregojnë udhëtimet e shpeshta të Gjiknurit me përfituesit e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Por kjo ka revoltuar, Gjiknurin i cili deklaroi se ka qenë në Maltë vetëm një herë, duke i kërkuar Bardhin se nëse i vërteton se ai ka qenë dy herë në këtë vend do të japë dorëheqjen.
Pjesë nga debati:
Gjiknuri: Nuk doja ta merrja fjalën, por dëgjova emrin tim këtu krejt rastësisht. Ju keni një problem, problemin e keni me kontratat e inceneratorëve dhe si i kanë lëshuar ato apo me personat në fjalë? Se s’po e kuptoj. E dyta, në ato kontrata, ministria që kam drejtuar nuk ka asnjë rol. Për skenën që keni bërë kallëzim, çojeni deri në fund, por të përmendni këtu jo kështu e ashtu, kjo nuk është etike. Ti Gaz aq e ke, maksimumi do rrish te hija e tij, e do harrohesh bashkë me ta. Mos u mundo të ndërtosh karakterin tënd mbi shpije. Nëse gjen që unë e kam vizituar atë, vetëm njëherë si ministër, po gjete më shumë se një udhëtim, o unë, o ti në këtë sallë. Nëse gjen dy udhëtime të mija në Maltë, dil këtu e thuaji, ndryshe o unë, o ti në këtë sallë.
Bardhi: Në fakt prisja të sqaroje udhëtimet me mafiozët e inceneratorëve, prisja përgjigje nëse ke ose jo llogari të fshehtë në Maltë, prisja të përgjigjeshe a ke apo jo shtëpi të fshehur me emrin e ndonjë prej miqve të tu?
Gjiknuri: Po je burrë ma gjej.
Bardhi: Ta gjej unë, TIMS-i.
Gjiknuri: E njoh që në shkollë atë.
Bardhi: Shumë mirë që e njeh, bën mirë të gjesh ndonjë avokat të mirë.