Deputeti i PD, ish kreu i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu është shprehur i prerë se nuk do të jetë nesër në ‘Foltoren’ që pritet të organizojë me demokratët ish kryeministri Sali Berisha.

I ftuar në emisionin Zona Zero, Mziu ka deklaruar se pjesëmarrja e personave me një mandat politik është njësoj sikur i hidhet benzinë zjarrit të ndezur.

“Takimi i nesërm do të jetë do të ketë pjesëmarrje e entuziazëm, është një zonë me shumicë bindje të djathtë, e për shkak origjinës dhe persekutimit që kanë pasur. Do të ketë pjesëmarrje, unë nuk do të jem pjesë e kësaj, nuk është se kam gjë me qytetarët e Kamzës, unë  i quaj pjesë organike të jetës sime. Jo se nuk kam ndonjë gjë me Sali Berishën, e gjykoj pjesëmarrjen e personave me një mandat politik, sikur ndikon pozitivisht në hendekun e PD-së, ose sikur i hidhet benzinë zjarrit të ndezur. Zjarri është gjë e pozitive, sepse fillohen e angazhohen njerëz, i jep besim“, tha Mziu.

Gjithashtu ai u shpreh se Foltorja mund t’i japë shpresë demokratët, por kjo nuk është për zotin Basha, por është për një faktor të vetëm që është rrëzimi i Ramës. “Çdo demokrat e di se kush është kundërshtar i tij, i vetmi është sot Edi Rama”, theksoi Mziu.

Kujtojmë se Mziu nuk ishte i pranishëm as në ‘Foltoren’ e Dibrës, zonë elektorale ku ai është deputet.