Në korrik të vitit 2020, një pagesë më vlerë 470 mijë euro u shfaq në bazën e të dhënave të thesarit të shtetit, që publikon Ministria e Financave. Pagesa u krye nga Reparti Ushtarak 4300 në Tiranë për llogari të kompanisë R & T. Transaksioni shoqërohej me përshkrimin “ndërtim objekti ushtarak me kontratë të klasifikuar.”
Pagesat nga Reparti Ushtarak 4300 në llogari të kompanisë R & T do të vazhdonin çdo muaj përgjatë gjithë vitit 2020, por në atë kohë askush nuk kishte dijeni se për çfarë objekti bëhej fjalë. Deri në fillim të këtij viti, kur misteri filloi të qartësohej.
Në 7 janar të këtij viti, përmes një postimi në facebook, kryeministri Edi Rama lajmëroi hapjen e një muzeu ushtarak në periferi të kryeqytetit.
“Shumë shpejt do të hapë dyert muzeu më i ri, kushtuar historisë së Forcave të Armatosura, ku do të ekspozohen mjete e pjesë të logjistikës së tyre në vite, në rreth 100 mijë metër katrorë sipërfaqe,” njoftoi Rama.
I vendosur në kilometrin e 15 të rrugës Tiranë-Elbasan, në fshatin Bërzhitë, muzeu mbiu nga hiçi. Qeveria nuk e kishte përmendur asnjëherë më parë ndërtimin e një muzeu historik për ushtrinë, ndërsa në Agjencinë e Prokurimit Publik nuk ishte shpallur kurrë një tender i këtij lloji. Gjithçka ishte bërë në mënyrë sekrete dhe vlera e kontratës ishte, jo pak por plot 6 milionë euro.
Muzeu sekret
E gjithë proçedura e tenderit sekret të muzeut është zhvilluar në dhjetor të vitit 2019. Në 6 dhjetor përmes udhërit 1192/5, ministrja e atëhershme e Mbrojtjes, Olta Xhaçka shpalli fituese kompaninë R & T, ndërsa një javë më vonë lidhi me këtë kompani kontratën e klasifikuar me numër 503.
Ligji për Informacionin e Klasifikuar, klasifikon si sekret shtetëror atë lloj informacioni, ekspozimi i paautorizuar i të cilit do të vinte në rrezik sigurinë kombëtare. Në rastin e ndërtimit të muzeut është e paqartë se si tenderi i hapur me garë do të vinte në rrezik sigurinë kombëtare, për sa kohë nuk bëhej fjalë për një objekt që i shërbente mbrojtjes kombëtare, por thjesht për një muze, i konceptuar si atraksion turistik i hapur për publikun.
MCN ka mundur të konfirmojë se në Ministrinë e Mbrojtjes ka patur një debat të fortë për të deklasifikuar këtë kontratë. Një pjesë e punonjësve kanë qenë që në fillim kundër prokurimit të muzeut me tender sekret, por me sa duket tundimi për të prokuruar 6 milionë euro fshehuraz ka qenë më i madh se ndërgjegja para ligjit.
Tender gjysmak
Postimi i datës 7 janar, ku lajmëroi hapjen shumë shpejt të muzeut, është hera e vetme dhe e fundit që kryeministri përmendi muzeun e ushtrisë. Muzeu jo vetëm që nuk u hap ashtu si lajmëroi kryeministri, por pas asaj date Edi Rama nuk ka folur më kurrë për të. Dhe arsyet për heshtjen e kryeministrit duket se nuk janë të vogla.
Prokurimi pa garë dhe vlera jashtëzakonisht e lartë, nuk janë problemet e vetme në tenderin e muzeut të ushtrisë. Përtej kësaj, objekti është prokuruar në mënyrë gjysmake. Aktualisht ndërtimi i muzeut është në përfundim dhe duhet të merret në dorëzim. Por objekti është jofunksional, pasi në tender nuk është parashikuar as lidhja me utilitetet si uji apo energjia elektrike dhe as vënia e tij në funksion.
Për më tepër, Ministria e Mbrojtjes nuk ka asnjë plan të mëtejshëm se çfarë do të bëjë më këtë objekt, ndërkohë që në programin buxhetor nuk ka fonde të tjera të parashikuara për kompletimin e veprës.
Kjo hedh dyshime të forta se e gjithë procedura është kryer thjesht dhe vetëm për të shpenzuar 6 milionë euro pa garë dhe në mënyrë sekrete dhe jo për të realizuar një investim funksional me paratë e qytetarëve. Muzeu ose më saktë karabinatë gjysmake 6 milionë euro me shumë se një objekt publik, që do të bëheshin pjesë e guidës së Tiranës, tashmë ngjajnë me provat e vendngjarjes së një krimi. Me sa duket kjo është dhe arsyeja se pse kryeministri nuk e ceku më kurrë këtë histori.
Marrë nga MCN