Bavaria mbylli gjatë fundjavës kufirin me Çekinë dhe Tirolin në Austri. Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer synon që me kufizimin e qarkullimit ndërkufitar të pengohet përhapja e mutacioneve të COVID-19
Policia federale vë në dukje, se do të lejohen të hyjnë nga Çekia vetëm ata persona që punojnë në Gjermani në sektorë kritikë si p.sh. në infrastrukturën mjekësore. Po ashtu edhe shoferët e kamionëve dhe pjesëmarrësit në ceremoni mortore do të lejohen të kalojnë. Çdo udhëtar duhet t’i nënshtrohet testit ndaj koronavirusit. Eshtë e pasigurtë, nëse personat që punojnë dhe udhëtojnë mes dy vendeve do të duhet t’u nënshtrohen çdo ditë testeve, apo vetëm një herë në javë. Edhe qarkullimi i trenave dhe autobusëve mes Bavarisë dhe Çekisë do të ndërpritet.
Çekia është duke i izoluar zonat e rrezikuara nga përhapja e virusit që ka pësuar mutacion. Në anën tjetër të kufirit me Bavarinë në qarqet çeke Sokolov dhe Trutnov në fundjavë u vendos izolimi i plotë. Në Tirol dyshohet të jetë përhapur varianti afrikano-jugor i virusit. Qeveria e landit në Tirol është kundër një izolimi të rreptë. Ndërsa qeveria qendrore në Vjenë ka filluar me rrethimin e këtij landi.
Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer në gazetën „Bild” kritikoi Komisionin e BE-së në Bruksel. “Ne luftojmë në kufi me Çekinë dhe Austrinë ndaj virusit që ka pësuar mutacione. Komisioni i BE-së në vend që të na ndihmojë na nxjerr pengesa me udhëzime të stërholluara”, tha Seehofer. Ministri tha, se kështu nuk shkon më „Komisioni ka bërë mjaft gabime me porositjen e vaksinave.”
Top Channel