Me medaljen e bronzit të fituar në Kampionatin Botëror të Boksit, Alban Beqiri shënoi rezultatin më të lartë të të gjitha kohërave për Shqipërinë në këtë sport. Por në këto ditë të shënuara, 27-vjeçari nga Puka do të kishte dashur të kishte pranë edhe mikun e tij të ndjerë Urim Pepa, të cilin përveçse promotor e ka pasur edhe shok të ngushtë.
Pas suksesit në Beograd, Beqiri ka ndarë një mesazh prekës për gazetën “Panorama Sport”, ku i bën homazh shokut të tij të ndjerë.
“Në këto ditë të mia të gëzuara prej fitores që shënova në Kampionatin më të madh Botëror të organizuar në historinë boksit, do doja shumë të ishte i pranishëm edhe shoku, miku, vëllai ose ‘bisha’ siç e thërrisnim njëri-tjetrin, i ndjeri Urim Pepa. Ish-promotori dhe menaxheri im i boksit profesionist.
Ai me mua nuk ishte vetëm një promotor, por një shok dhe dashamirës i boksit tim. Më ka ndjekur në çdo aktivitet ku kam shkuar, miqësor apo zyrtarë, brenda vendit apo jashtë tij dhe bëhej shumë krenar për mua në çdo ndeshje. Nuk mund ta imagjinoj sa do të lumturohej nëse do ishte këto ditë me mua duke me parë në fitimin e medaljes së bronzit për vendin e tretë në Botë, duke qenë i pari boksier që sjell medaljen historike për Shqipërinë, gjë të cilën nuk kemi mundit ta bëjmë asnjëherë më parë.
Do t’i bëhej zemra mal, sepse më ka dashur si vëllain e tij të vogël. Zoti e mori shpejt dhe uroj që të jetë afër tij sepse e meriton! Çdo kush që e ka njohur e di mirë se çfarë njeriu ka qenë dhe do ngelet gjithmonë në zemrat tona. Pushoftë në paqe!”, shkruan boksieri Alban Beqiri në mesazhin e tij.