Kombëtarja kuqezi bëhet gati për dy impenjimet e fundit të eliminatoreve për Kupën e Botës Katar 2022.

Me shpresat që janë shuar pothuajse dhe vetëm matematika që na mban në lojë, trajneri Edy Reja flet në konferencën për shtyp për zgjedhjet e bëra me listën e lojtarëve të grumbulluar dhe për objektivat në këto dy përballje.

Të shqetëson fakti që pa Gjimshitin dhe me Kumbullën që nuk luan shumë te Roma, të përballesh me Harry kane?

Edi Reja: “Gjimshiti është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe lojtar i fortë, ndër më të mirët. Kumbulla sa herë që ka luajtur këtu ka bërë mirë, ka treguar nivel. Te Roma është i ri dhe atje ka shumë presion e kritika. Unë e njoh atë klub dhe Kumbulla duhet të injorojë zërat, kritikat e të bëjë më të mirën, unë kam folur mirë për të pas ndeshjes me Poloninë. Janë të gjitha eksperienca që ai duhet t’i kalojë si lojtar dhe në aspektin e personalitetit ka treguar që ka talent dhe cilësi. Kjo është eksperiencë që do t’i shërbeje që të rritet”.


A keni patur probleme me portierët që nuk po luajnë si titullarë me ekipet e tjera?

Edi Reja: “Sigurisht që pres gjithmonë përmirësime kudo. Për portën ja shumë i qetë pasi edhe Berisha edhe Strakosha janë të qetë e në formë. Janë të karikuar për të treguar vlerat e tyre këtu dhe nuk kam merak për këtë pjesë. Nuk kam patur asnjëherë probleme me portierët në kombetare, ndoshta diku tjetër, unë dua që loja të përmirësohet në mesfushë e lart. Në mbrojtje jemi solidë por dua përmirësim në mesfushë e më lart. Kemi edhe portierin e tretë, Selmani që sa herë që e kemi thirrur ai është përgjigjtur”.


Si do të dukej mbyllja e Grupit me 18 pikë?

Edi Reja: “Me Poloninë luajtëm shumë mirë që ishte një nga ekipet më të mira pas Anglisë. Mundëm 2 herë Hungarinë dhe kemi bërë shumë mirë, me 18 pikë do të ishte një rezultat i mirë për Shqipërinë. Mbetet keqardhja për humbjen e dytë me Poloninë, duhet të rritemi për të qenë kompetitivë.

Kemi treguar se mund të rivalizojmë me skuadra të tilla dhe tani na mbetet vetëm të përmirësohemi. Nuk mund të gabojmë asgjë, 18 pikë të vjen keq sepse mundëm dy herë Hungarinë dhe me Poloninë kishim më shumë mundësi për të fituar sesa për të humbur. Nuk dukej e mundur por pas këtyre ndeshjeve treguam se kishim mundësi për të shkuar në Botëror”.


Çfarë prisni që lojtarët që të japin këto ndeshje të fundit përtej shpresave dhe ëndrrave?

Edi Reja: Do t’u kërkoj të japin maksimumin ndaj Anglisë dhe Andorras, të marrim sa më shumë pike. Kur të mbarojmë do të bëjmë dhe analizën, më vjen keq që në ndeshjen më të rëndësishme me Poloninë kishim probleme me mungesat.

Jam ende i nervozuar dhe i zhgënjyer qe në këtë ndeshje historike nuk kishim mundësi për të bërë shumë ndryshime dhe mungonin alternativat. Kemi mbetur keq të gjithë, të kënaqur me paraqitjen por humbja na krijoi probleme. Të paktën me barazim do të shpresonim ende por tani duhet të bëjmë sa më mirë e të shpresojmë. Ndaj Andorrës duhet të bëjmë njësoj mirë, duhet të luajmë e të shpresojmë. Ndoshta Hungaria mund Poloninë, ne do të impenjohemi deri në vdekje”.


Kemi mungesa si Manaj dhe Balliu, a keni folur dhe si është gjendja e tyre?

Edi Reja: “Kam folur javën e kaluar me Manajn dhe ka luajtur pak. Ka patur edhe probleme shëndetësore dhe e lame të punonte me klubin. Me Balliun kam folur dy herë dhe nga problemet fizike dhe ato nga covid dëshiron të rikuperohet. Vendosëm bashkarisht të mos ishte në këtë grumbullim edhe pse do të doja ta shihja nga afër në këto dy ndeshje. Abrashi dhe Gjimshiti janë lojtarë të rëndësishëm për ne, por nuk janë mirë fizikisht këto kohë dhe shpresoj që ta rimarrin veten shpejtë”


Do të luajmë maksimumin e të bëjmë maksimumin në Wembley


Edi Reja: “Objektivat tanë janë gjithmonë për të shkuar dhe për të bërë më të mirën në çdo ndeshje. Pas humbjes me Poloninë humbëm një shans për të shkuar në playoff por përderisa matematika na e lejon do të luajmë çdo gje për çdo gjë. Do të luajmë maksimumin e të bëjmë maksimumin në Wembley ndaj Anglisë

Kujtojme që Shqipëria luan fillimisht me Anglinë me 12 Nëntor ne “Wembley” e më pas me Andorran në Shqipëri por me problemin se nuk do të ketë tifozë.