Elbasan
Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të narkotikëve.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrajca 2021”.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë të Stacionit Policor Prrenjas.
Sekuestrohen 11 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike cannabis sativa.
Vihen në pranga 3 shtetasit që tentuan ta trafikonin lëndën narkotike drejt Maqedonisë së Veriut.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se disa shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, po tentonin të trafikonin një sasi lënde narkotike nëpërmjet kufirit të gjelbër, për në Maqedoninë e Veriut, menjëherë kanë organizuar dhe zhvilluar në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit Policor Prrenjas, operacionin policor të koduar “Rrajca 2021”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
G. Xh., 40 vjeç, E. P., 18 vjeç dhe E. V., 31 vjeç, banues në Kavajë.
Në kuadër të këtij operacioni policor, në fshatin Rrajcë-Sutaj, bashkia Prrenjas, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit me drejtues shtetasin G. Xh. dhe pasagjerë shtetasit E. V. dhe E. P.
Gjatë kontrollit të këtij automjeti, në bagazh, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 çanta të mbushura me pako me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale 11 kilogramë e 500 gramë, e destinuar për t’u trafikuar në Maqedoninë e Veriut.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe automjeti, si dhe 3 aparate celulare.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i narkotikeve“, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.