Ditën e sotme ka nisur procesi i vaksinimit në qytetin e Shkodrës, ku përveç spitaleve pritet që të marrin dozën e parë dhe të moshuarit që qendrojnë në shtëpinë e të moshuarve.
Kanë qenë vetë kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ata që kanë ndjekur sot nga afër procesin, teksa është vaksinuar dhe i moshuari i parë. Ndërkohë që Rama nuk la pa i përmendur të moshuarit sesa me fat ishte që jeton në Shqipëri, pasi në azilet e tjera në të gjithë botën është bërë nami me infektime.
“Në Europë është bërë nami në Shtëpitë e të Moshuarve, jemi fat që nuk jemi përballur me situata të tilla. Sot mbaron vaksinimi këtu”, u shpreh Rama.
Manastirliu theksoi se ditën e sotme do të përfundojë vaksinimi për 45 të moshuarit në këtë shtëpi për të nisur më pas me të tjerët.
Ajo theksoi se shtëpitë e të moshuarve janë mbajtur të sigurta për shkak se që prej fillimit të pandemisë stafet e kujdesit u izoluan.
“Të moshuarit që jetojnë në shtëpinë e të moshuarve kanë kushte shumë të mira. Sot jemi në shtëpinë e të moshuarve në kuadër të vaksinimit të kombinuar. Do të bëjmë vaksinat për të moshuarit që jetojnë në shtëpinë e të moshuarve. Ne kemi bërë një strategji që në fillim duke i mbajtur stafet të mbyllura në shtëpinë e të moshuarve”, tha ministrja.
Fax news