Nga Klodian Tomorri
Në gjithë korpusin e ligjeve të paketës fiskale për vitin e ardhshëm dy ishin masat më të mira. E para vendosja e një takse prej 100 lekë për litër mbi importin e qumështit pluhur, ndërsa masa e dytë ishte futja në regjim taksimi e karburantit që u shitet jahteve me 65 lekë për litër.
Sapo këto dy propozime u bënë publike grupet e privilegjuara të interesit nisën menjëherë lobimin. Ajo që ndodhi më pas është një turp i madh korruptiv, ku deputetët e zgjedhur me votën e popullit trafikojnë interesin publik për interesa të ngushta financiare.
Taksa e qumeshtit pluhur u zhbë me një nen tinëzar, që iu shtua ligjit pas dorëzimit të paketës. Këtë herë lobimi ndodhi në Ministrinë e Financave. Pasi e kishte dorëzuar zyrtarisht në Kuvend projektligjin që taksonte qumeshtin pluhur, Ministria e Financave shtoi dhe një nen tjetër, i cili e heq taksën kur qumështi importohet nga fabrikat e përpunimit të qumështit.
Prostitucioni fiskal në këtë rast është monumental. A thua se qumështin pluhur e importonin fermerët apo këpucarët dhe jo fabrikat e përpunimit të qumështit. Pra amendamenti korruptiv de facto e hoqi taksën e qumështit.
Në rastin e dytë, atë të taksës mbi karburantin e jahteve, lobimi ndodhi në Parlament. Pasi u kafshuan nga lobistët, deputetët e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, vendosën që taksën e karburantit të jahteve ta ulnin nga 65 lekë për litër që ishte niveli i propozuar, në 40 lekë për litër. Ky ndryshim u merr qytetarëve shqiptarë 5 milionë dollarë në vit nga arka publike dhe i çon në llogaritë private të lobistëve.
Të dy këto janë ligje ad personam. Me tek përfitues, por me gjithë të tjerët humbës. Si përfundim, ata që do të hanë shkopin e rëndë të taksave nga paketa e re fiskale janë shtresa më e varfër e këtij vendi, fermerët. Ndryshimet e reja që po miraton mazhoranca janë një goditje dërrmuese, por mbi të gjitha e pandershme mbi fermerët.
Nga njëra anë qeveria vendos tvsh 10% mbi inputet bujqësore duke rritur direkt koston e fermerëve, nga ana tjetër heq kompesimin 6 për qind të tvsh-së për ta. Ky është rast unikal në botë, ku sistemi i TVSH-së vepron si darë mbytëse. Nga njëra anë të merr dhe nga ana tjetër nuk të lejon kompesim, por e ndërpret zinxhirin në mes.
Por pse qeveria dhe deputetët e saj goditën fermerët? Arsyeja është shumë e thjeshtë. Fermerët nuk kanë para të korruptojnë zyrtarët dhe as nuk i dinë skutat e ndyra të lobimit në sallonin e politikës..
Ky nuk është rasti i parë kur korrupsioni rrëzon interesin publik në paketën fiskale. Por ky do të mbahet mend si një nga më të turpshmit për nga mënyra se si u realizua. Fermerëve tashmë u ka mbetur vetëm një zgjidhje.
Shikojini të gjithë deputetët në Parlament. Ata që do të ngrenë dorën dhe do të votojnë këtë paketë, pështyjini kur të vijnë në zonat tuaja dhe të kërkojnë sërish votën. Sepse ata nuk janë deputetë, por trafikantë të interesit publik. Shumë më të rrezikshëm se trafikantët e drogës.