Kryeministri Rama e hodhi poshtë rrjedhjen e të dhënave nga AKSHI në rastin e databazës së patronazhistëve. Në emisionin “Të Paekspozuarit”, Rama debatoi me gazetarin Armand Shkullaku lidhur me këtë çështje.
Shkullaku: Regjistri i gjendjes civile është në internet, por ka të dhëna deri në 2008. Nga 2008-2021 nuk ka më. Investigimi tregoi se persona që ndodheshin jashtë rezultonin në këtë databazë me numrat që kishin lënë në ambasada dhe konsullata. Kjo është një e dhënë që është marrë diku.
Rama: AKSHI nuk ka dhënë kurrë të dhëna të vetat për PS. Kjo e njerëzve jashtë shtetit.
Shkullaku: Ato të dhëna i posedon vetëm e-Albania.
Rama: Barrën e provës… ajo që keni nxjerrë ju është databazë e manipuluar për këtë qëllim që është përdorur. Është kollaj fare të manipulosh. Patronazhistët janë ata që janë dhe unë jam krenar për ta. Nuk ka karta identiteti në databazën tonë. Gjëja më e denjë që duhej të bënit ishte të shkonit në organet e hetimit. Dorëzoni bazën e të dhënave dhe duket kollaj nëse keni bërë ndërhyrje.
Shkullaku: Dmth ne i paskemi gjetur numrat e 1 milion qytetarëve, kemi shpikur 9 mijë patronazhistë
Rama: Janë shtuar shumë gjëra aty. Aty nuk është databaza jonë. Është vjedhur databaza jonë dhe është përdorur për të krijuar këtë konfuzion. Çojeni në organet e hetimit atë GPS që kishit. Ne nuk kemi gjë për të fshehur. Është praktikë ndërkombëtare. Nuk kemi marrë të dhëna nga AKSHI.\