Shitësi suedez me pakicë, Ikea ka vendosur të lëshojë me qira disa mini-apartamente për të interesuarit në Tokio të Japonisë.
Apartamentet prej 10 metrash katrorë ndodhen në lagjen Shinjuku gjersa qiraja do të jetë vetëm 99 jen (0,86 dollarë) në muaj, sipas detajeve të publikuara nga Ikea.
Ofrohet vetëm një njësi dhe është plotësisht e kompletuar me mobilie dhe aksesorë të Ikeas, raporton cnn.
Kompania do të pranojë aplikimet për qiramarrësit e mundshëm deri më 3 dhjetor, të cilët duhet të jenë mbi 20 vjeç, transmeton Telegrafi.
Më pas apartamenti do të jepet me qira deri më 15 janar të vitit 2023, njoftoi kompania suedeze. Qiramarrësi do të duhet të paguajë vetë faturat e shërbimeve të tjera.
Tokio është një nga qytetet me popullsi më të dendur në botë, duke nxitur një tendencë për mikro apartamente. Ajo është shtëpia e pak më shumë se 14 milionë njerëzve, sipas Qeverisë Metropolitane të Tokios.
Kjo nuk është hera e parë që Ikea përfshihet në prona. Kompania ka një sipërmarrje të përbashkët, BoKlok, me kompaninë suedeze të ndërtimit Skanska, e cila ka ndërtuar shtëpi modulare të përballueshme në Suedi, Finlandë dhe Norvegji.