Truproja i ish-kryeministrit, Sali Berisha, Ervis Tusha, ka reaguar lidhur me aksidentin e mbrëmjes së sotme në autostradë, ndërsa ktheheshin nga takimi me demokratët në Laç.
Ai ka treguar se “pas takimit ne qytetin e Laçit, rreth orës 19:02, rrugës në kthim ne autostraden Milot-Mamurras, në drejtimin tonë vjen një Mercedes i bardhë 190 me targa të Kosovës, me shpejtësi në kundravajtje. Falë aftësisë së shoferit të makinës së z. Sali Berisha u bë e mundur shmangia e menjëhershme e përplasjes, pasi makina në kundravajtje ishte me shpejtësi tej normave të lejuara. Po kështu edhe dy makinat pas makinës së z. Berisha, ndërsa makina e tretë e ndodhur ballë për ballë ka bërë një frenim të fortë për ta shmangur ku si pasojë është goditur nga mbrapa nga një mjet rastësor. E gjitha kjo ka ndodhur për shkak të shoferit që po i jepte makinës me shpejtësi në autostradë në korsinë e gabuar. Falë Zotit të gjithë jemi në gjendje të mirë shëndetësore, përfshirë doktor Berisha”.
Edhe policia në njoftimin për ngjarjen bëri me dije se në aksin rrugor Milot- Fushë Mamurras, mjeti me drejtues shtetasin Ardi Mulliqi ka goditur mjetin me drejtues shtetasin Sali Lozi, e më pas ka goditur mjetin shoqërues të eskortës deputetit S.B.
Si pasojë kanë marrë dëmtime të lehta 2 shtetas banues në Kosovë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.