Dëshira do ishte shumë e madhe të kishim disa nga këta të rinjtë që të afroheshin, të vinin, të shikonim ç’bëhet këtu por nuk para pëlqehet.
Një nga traditat më të vjetra në Korçë është punimi i thuprës, një traditë e cila çdo ditë e më shumë po shkon drejt zhdukjes.
Euronews Albania vizitoi Pëllumb Hysën në punishten e tij, i cili vazhdon traditën familjare dhjetëra vjeçare në këtë profesion.
“Me një trashëgimi të babait, nga gjyshi po ashtu, këtu e 45 vite para, pra që në moshën 7-vjeçare më ka futur babai në këtë punë e zanat. Bëj shumë lloje, ka çanta të Dolce&Gabbanës, ka të Prades, kemi modelet tona,” – tha mjeshtri i thuprës.
Të tjerë që vazhdojnë këtë zanat apo të rinj që duan të mësojnë janë të pakët.
“Dëshira do ishte shumë e madhe të kishim disa nga këta të rinjtë që të afroheshin, të vinin, të shikonim ç’bëhet këtu por nuk para pëlqehet. Gjithmonë e sa vjen është në rënie. Është i vështirë dhe do kohë ta marrësh e arrish atje ku duhet,” – tha Hysa.
Për Pëllumbin thupra është art, e një punë që bëhet plot zell e dëshirë.
“Është ëndrra ime. Nuk pres të gdhihet e të jem këtu në punë, është ëndrra ime, pasioni im, dashuria që kam për të. Unë e përkëdhel thuprën, e dua aq shumë sa se ke idenë,” – u shpreh ai.
Një profesion i bukur, një art më vete i cili çdo ditë e më tepër po sfumohet e një zanat ku pas disa vitesh do të kujtohet vetëm nga ato çka do të dalin nga duart e Pëllumbit, pasi në horizont nuk duket se institucionet kanë dëshirë për të bërë diçka për “ringjalljen” e kësaj tradite korçare./Burimi: EuroNews