Gjeneralmajor Bashkim Jashari, djali i Rifat Jasharit dhe nipi i komandantit legjendar Adem Jashari, nga sot do të jetë komandant i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës. Jashari sot është betuar para komandantes supreme të FSK-së, Vjosa Osmani. Ai do ta pasoj në këtë pozitë gjenerallejtënant Rrahman Ramën.
Në njoftimin e Presidencës është bërë e ditur se emërimi i tij është bërë me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe me rekomandim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese. Emërimi është bërë siç parashihet në ligjin për FSK-në, pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes dhe rekomandimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ai në FSK deri më tani ka mbajtur pozitën e gjeneral majorit.
Pas emërimit të tij në pozitën e komandantit të FSK-së, ka ardhur reagimi nga familja Jashari.
Me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, Bekim Jasharithotë se Bashkimi ashtu si në luftë “krah balit Adem, babushit Hamëzes e babës Shaban, edhe sot në paqe do të vazhdoj rrugën e tyre”.
“Gjenerali nga familja jonë, nipi i Komandantit Legjendar Adem Jashari, Bashkim Rifat Jashari, sot është emëruar Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë tonë të ndërtuar mbi rrugën e trasuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Bashkimi ashtu si në luftë krah balit Adem, babushit Hamëzes e babës Shaban, edhe sot në paqe do të vazhdoj rrugën e tyre, duke kontribuar në fuqizimin e ushtrisë sonë dhe integrimin e saj në mekanizmat ndërkombëtar.
Ah sikur të ishte gjallë Komandanti Legjendar Adem Jashari, të të shihte duke udhëhequr ushtrinë e shtetit tonë, për të cilin luftoj deri në rënien heroike të tij, bashkë me familjen dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ai.
Për marrjen e pozitës së re, atë e ka uruar edhe ministri Armend Mehaj. Ai tha se ka nderin dhe privilegjin të bashkëpunojë me njërin nga bashkëluftëtarët dhe nipin e komandantëve legjendarë Adem dhe Hamëz Jashari.