Vizita e zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Gabriel Escobar dje në Tiranë ishte kryefjalë. Ambasadorja amerikane Yuri Kim në përfundim të vizitës së zyrtarit të lartë të DASH-it shprehet se SHBA mbështet Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe integrimin në BE. Në postimin e diplomates amerikane ka një mesazh të koduar edhe për Sali Berishën, kur flet për përpjekjet e individëve për të minuar demokracinë, një nga dy akuzat për të cilat ish-kryeministri u shpall “non grata”.
“Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Escobar falënderoi Shqipërinë për partneritetin e fortë dhe ripohoi mbështetjen e fortë të SHBA-së për Shqipërinë për anëtarësimin në BE. Ai nënvizoi fokusin e SHBA-së në luftën kundër korrupsionit, mosndëshkimit dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
Ne presim me padurim forcimin e marrëdhënieve: rritjen e bashkëpunimit tonë të mbrojtjes si aleatë të NATO-s; krijimin e më shumë mundësive për tregti dhe investime; duke punuar së bashku për integrimin rajonal dhe çështjet globale, veçanërisht si anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në 2022” mbyllet postimi.
Gabriel Escobar dje në Tiranë zhvilloi takime me liderin e opozitës Lulzim Basha, kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Jashtme Olta Xhaçka me fokus kryesor luftën kundër krimit, teksa vizita përkoi me ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit. Ardhja në Tiranë dy ditë përpara Kuvendit të Sali Berishës ishte një mesazh mbështetje edhe për Lulzim Bashën./ Abcnews.al