Është përkujtuar në ambjentet e Repartit të Zjarrëfikëses 75 vjetori i Krijimit të këtij shërbimi në Bashkinë e Elbasanit. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të Qarkut të Elbasanit, ku kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, shprehu mirënjohje për heronjtë e zjarrit, ndërsa vlerësoi gadishmërinë e efektivëve të këtij reparti, të cilët kanë ndërhyrë jo vetëm në raste zjarresh, por edhe duke treguar edhe heroizëm në shpëtimin e jetëve të njerëzve. Duke i cilësuar si heronjtë e zjarrit, dhe jo vetëm, Kreu i Bashkisë e vuri theksin tek gadishmëria dhe menaxhimi i situatave të ndryshme në kohë rekord të efektivëve të zjarrëfikësve, ndërsa shprehu mbështetjen maksimale jo vetëm e Bashkisë së Elbasanit, por të gjithë Qarkut.

Në vijim, Z. Llatja i ka dorëzuar titullin e Mirënjohjes së qytetit katër efektivëve të Repartit të Zjarrëfikëses, Enver Gjepa, Agron Balla, Qerim Shadini, dhe Arsen Dervishi, me motivacionin “ Për kontributin e dhënë me profesionalizëm e përkushtim në shuarjen e zjarreve dhe shpëtimin e jetëve të njerëzve”. Në datë 9 dhjetor të vitit 1946 në Bashkinë e Elbasant u krijua Shërbimi i Zjarrëfikëses, fillimet e të cilit kanë nisur në reparte dhe uzina pune. Ky shërbim deri në vitin 2001 ishte në vartësi të Ministrisë së Brendshme. Në vitin 2002 Shërbimi Zjarrëfikëses kaloi në kompetencë të Prefekturës së Elbasanit, dhe më pas nën administrimin e Bashkisë. Heronjtë e flakëve, shërbejnë pa orar në mbrojtje të jetëve, mjedisit dhe pronës! Respekt dhe mirënjohje për të gjithë punonjësit e shërbimit zjarrfikës të Elbasanit që kanë shërbyer ndër vite./egnatia news