Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “GREEN SEED”.

Sekuestrohen 2075 fara të dyshuara si e bimës narkotike cannabis sativa, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sattiva, 1 armë gjahu, fishekë, 1 automjet dhe 4 aparate celulare.

Vihen në pranga babë e bir, procedohet penalisht 1 shtetas tjetër.

Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor “GREEN SEED”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

F. Sh., 57 vjeç dhe S. Sh., 26 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Çepunë, Gjirokastër.

Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi E. K., 25 vjeç, banues në Gjirokastër, pasagjer në mjet.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Suzuki”, më të cilin dy të rinjtë po lëviznin në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, u gjet një sasi lënde narkotike.

Në vijim të kontrollit të ushtruar në banesat e dy shtetasve të arrestuar janë gjetur: një armë gjahu pa lejen përkatëse, fara të dyshuara si e bimës narkotike cannabis sativa, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një sasi fishekësh.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 2075 fara të dyshuara si e bimës narkotike cannabis sativa, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 armë gjahu, një sasi fishekësh, 1 automjet dhe 4 aparate celulare.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.