Paratë që emigrantët dërgojnë në familjet e tyre në Shqipëri (remitancat) kanë shënuar rritje të ndjeshme këtë vit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin e 2021, prurjet arritën në 541 milionë euro, duke shënuar nivelin më të lartë që nga viti 2009.

Në raport me janar-shtator të një viti më parë, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë dhe mbylljes së Europës, remitancat janë rritur me 15%. Në krahasim me periudhën përkatëse normale të 2019-s, zgjerimi është më i lehtë, me rreth 4.5%.

Rolin kryesor në këtë tendencë në raport me parakrizën e ka luajtur tremujori i parë. Në janar-mars të këtij viti, paratë që emigrantët dërguan te të afërmit në Shqipëri arritën në 169 milionë euro, niveli më i lartë që nga viti 2010, me rritje 12.5% në raport me tremujorin e parë 2019. Aktorët e tregut pohuan se një faktor që ndikoi, lidhej me faktin që si rrjedhojë e shpenzimeve të rritura të familjeve për të përballuar pasojat që dha në shëndet Covid-19, fëmijët nga jashtë kanë dërguar më tepër mbështetje se zakonisht në muajt e parë të vitit.

Në tremujorin e dytë, remitancat ishin 42% më të larta se e njëjta periudhë e vitit pandemik (kur si rrjedhojë e mbylljes së menjëhershme të Europës efekti te dërgesat ishte i lartë). Por, ato ishin në rënie prej 10.7%, në krahasim me prill-qershorin e 2019-s.

Operatorët e tregut pohojnë se gjatë periudhës së kufizimeve të udhëtimeve janë rritur kanalet informale, pasi mbyllja e kufijve ka ndikuar në orientimin drejt operatorëve zyrtarë. Ndërsa në tremujorin e tretë të vitit, me rritjen e numrit të fluturimeve, kanalet informale janë rritur sërish. Rritja në tremujorin e tretë ishte vetëm 1.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-s.

Sipas tremujorëve, niveli më i lartë i tyre u shënua në korrik-shtator, me 200 milionë euro, që përkon me periudhën e verës, kur shumë emigrantë vijnë për pushime.