Vrasja për shkaqe banale. E tillë dyshohet se të jetë ekzekutimi më armë zjarri i Jurgen Dukës në një market në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë.

Ora News mëson se viktima dhe autori nuk kanë pasur njohje të mëparshme mes tyre deri në momentin që janë takuar në market.

Duka së bashku me shokët e tij shkon me qese dhe ca birra për të bërë pagesën. Por mësohet se në radhë para tij ka qenë autori i vrasjes.

Këtu nis konflikt verbal mes tyre që përshkallëzohet në përplasje fizike dhe më pas përdorim të armës së zjarri


Nga pamjet e siguruara nga Ora News shihet Duka duke e goditur me grushte autorin ndërsa ky i fundit e qëllon me armë.

Më pas të gjithë dalin nga marketi, në vendngjarje mbetet Duka i shtrirë në tokë me shenja jete dhe shitësi.

29-vjeçari Duka është transportuar në spitalin e Traumës ku edhe ka ndërruar më pas jetë si pasojë e gjakderdhjes.

Policia po bën verifikimin e personave që kanë qenë dëshmitarë në vendngjarje.

Arma e përdorur

Mësohet se arma e përdorur në krim ka qenë një pistoletë e vogël.

Pritet dëshmia e shokut të viktimës

Policia pret të marrë dëshminë e shokut të Jurgen Dukës me iniciale O. D. Por për të marrë dëshminë ai duhet të jetë esëll, pasi siç u mësua nga burime pranë policisë ata kanë qenë në gjendje të dehur.