Kryeministri, Edi Rama:
Shpresoj që të kemi mundësi që pas këtij takimi t’i bëjmë dhe një reklamë përkatëse në rrjetet sociale tonat dhe ndërkohë, më vjen shumë mirë që pikërisht, në një shëmbëlltyrë konkrete të efekteve ekonomike dhe sociale të rijetëzimit, ne sot po bëjmë me dije se një tjetër zotim i fushatës elektorale dhe një tjetër pikë e programit tonë të Shqipërisë 2030 tanimë kthehet në një instrument në dispozicion të të gjithë atyre që do duan të përdorin bonusin e rijetëzimit për të kthyer në jetë dhe për t’i kthyer në instrumente ekonomikë shtëpitë e vjetra në qendrat historike, në radhë të parë në kala, sepse rijetëzimi i kalave është një nga gjërat më të bukura që mund të bëjë një vend me një trashëgimi kulturore të pasur si Shqipëria.
Përfitoj nga rasti t’i bëj një apel sot në këtë takim të parë informues të gjithë familjarëve që disponojnë shtëpi të tilla që tanimë, me bonusin e rijetëzimit, me këtë program të ri mbështetës, ne jemi në krah, siç e tha ministrja, me dy instrumente mbështetjeje; një për restaurimin dhe konsolidimin e pjesës, si të thuash, e guaskës së shtëpisë, pra mureve, dritareve, dyerve dhe fasadës apo çatisë, ku do të japim deri në 10mijë dollarë nga shteti, 1milionë lekë të reja dhe për instrumentin e dytë, për të gjithë ata që do duan të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë deri në 50mijë dollarë. Është i njëjti instrument në parim, që është përdorur për nxitjen e bujqësisë përmes pikave të grumbullimit, përmes pikave të agro-përpunimit.