E-scooter-at janë ndaluar nga i gjithë transporti në Londër pasi nje scooter shpërtheu në flakë.

Vendimi erdhi pasi një scooter elektronik shpërtheu në flakë në metro, në stacionin ”Parsons Green”, muajin e kaluar.

Një rishikim i tyre nga Transporti për Londrën (TfL) zbuloi se bateritë me defekt të litiumit mund të bëjë që ata të marrin flakë.

TfL paralajmëroi se një zjarr në një zonë të mbyllur si një autobus ose metro mund të sjellë dëme të konsiderueshme për pasagjerët dhe stafin.

”Kontrolli i bërë ka parë se incidentet që kanë ndodhur janë shkaktuar nga bateritë e dëmtuara litium-jon, të cilat u këputën pa paralajmërim”, tha TfL në një deklaratë. Kjo çoi në zjarre që shkaktuan lëshimin e tymit toksik.

“TfL konsideron se nëse kjo do të ndodhte përsëri, në një zonë të mbyllur si një tren metro ose një autobus, mund të ketë dëm të konsiderueshëm si për klientët ashtu edhe për stafin, si dhe lëndime dytësore nga klientët që përpiqen të ikin nga zona”, shton deklarata.

Ndalimi i ketyre mjeteve levizëse zbatohet për të gjitha shërbimet TfL, duke përfshirë metrotë, autobusët dhe tramvajet.

Brigada e Zjarrfikësve të Londrës gjithashtu mbështeti ndalimin, duke thënë se ishte thirrur për të shuar më shumë se 50 zjarre, që përfshinin e-scootar-a dhe biçikleta elektronike.

Muajin e kaluar u zbulua se 131 këmbësorë në Britaninë e Madhe ishin lënduar nga e-scooter-at gjatë 12 muajve të mëparshëm.

Tridhjetë e shtatë nga viktimat pësuan lëndime, të cilësuara nga Departamenti i Transportit si “të rënda”.

Përdoruesit e tjerë të rrugës, të lënduar nga përplasjet me e-scooter-a, përfshinë 36 çiklistë dhe 32 pasagjerë automjetesh.

Katërmbëdhjetë viktima ishin të moshës 70 vjeç e lart, ndërsa 17 ishin nga 60 dhe 69 vjeç.

Njëzet e një fëmijë nën 10 vjeç u plagosën.

Shifrat tregojnë gjithashtu se tre përdorues të e-scooter-ave humbën jetën gjatë përplasjeve, ndërsa 729 të tjerë u plagosën.