Kreu i PD Lulzim Basha ka deklaruar se pas Sali Berishës, së shpejti do t’u vijë rradha për t’u shpallur “non grata” nga SHBA edhe brinjëve të tjera të “trekëndëshit të bermudës”, dhe këtu i referohet kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta.
“Që nga qershori e deri në 9 shtator unë kam qenë i angazhuar që Berisha të përmbushte zotimin e dhënë demokratëve të mos bëhej barrë dhe pengesë për demokratët. Më ka thënë se nuk kam ndërmend të vendos asnjë para interesit tim personal dhe as demokratët. SHBA nuk janë ish-Bashikimi Sovjetik dhe nuk do ishin këta që janë nëse do vepronin si një vend ish-komunist. Kanë instrumentat e tyre dhe janë ata që kur komunistët shqiptarë i thyen zgjedhjet e ’91 na dolën në krah në ’92 dhe kështu e larguam komunizmin në Shqipëri.
Pas SHBA Shqipëria nuk do ishte në NATO. SHBA-të nuk marrin vendime politike. Do t’i vijë dita edhe brinjëve të tjera të trekëndëshit të Bermudës, por nuk jam as unë as ti që përcaktojmë shpejtësinë e institucioneve amerikane. Unë nuk jam mashë e askujt dhe këtë e kam provuar me akte jo me fjalë. Kur unë kam bindjen se në lojë janë interesat kombëtarë nuk ka gjë përveç zotit të më ndalojë mua. Këtu ishin interesat e demokratëve përballë atyre të Berishës dhe sigurisht që do zgjidhja ato të demokratëve. SHBA e ka shpallur non grata dhe Rama duke të ishte shpallur me kohë non grata. E vetmja gjë që kam në dorë unë dhe jam përgjegjës para demokratëve është ta mbroj apo thërrmoj interesin e demokratëve”, u shpreh Basha në emisionin “Open”.
Duke folur për shpalljen “non grata” të Sali Berishës, Basha tha se Escobar ka deklaruar se nëse drejtësia shqiptare i kërkon DASH-it, prova ata janë të gatshëm t’i sjellin. Basha ngriti pyetjen se a është gati Berisha t’ia shtrojë këtë kërkesë drejtësisë shqiptare.
“Nuk është dënim politik, e tha Escobari është një vendim i marrë në bazë të procedurave të shtetit amerikan. Vendimi është marrë pas shumë vitesh punë, i nisur nga tre administrata.Ka thënë nëse drejtësia shqiptare kërkon prova ne jemi të gatshëm të japim prova. E para, ka kërkuar drejtësia shqiptare prova? A është i gatshëm Berisha t’i kërkojë drejtësisë shqiptare të marrë prova nga DASH për shpalljen non grata? Askush nga ju nuk merret me këtë pyetje. 99% e demokratëve kanë qenë me ne dhe me mua dhe me Sali Berishën kur Tom Doshi të mos kandidonte sepse u shpall ‘non grata’. Unë nuk jam gjyqtari i vendimeve të SHPA, por unë edhe Berisha i kemi pranuar SHBA si jurinë të demokracisë në botë. Vendimi i SHBA për ‘non grata’ nuk vihet në diskutim nga PD. PD nuk është e përçarë dhe qëllimi është një, të largohet ky regjim”, u shpreh Basha.
Basha u shpreh më herët se pasi ka marrë vendimin për pezullimin e Berishës nga grupi i PD, ndihet më i çliruar se në çdo moment tjetër gjatë viteve të karrierës së tij politike.