Aplikacioni viral i videove, TikTok, ka arritur të zbresë nga froni Google si “destinacioni i preferuar online i njerëzve”. Në renditjet e siguruara nga kompania Cloudflare, TikTok zuri vendin e parë për klikime në shkurt, mars dhe qershor, dhe më pas e ruajti vendin e parë që nga muaji gusht.
Vitin e kaluar Google ishte dominues në këtë kategori, dhe ndiqej më pas nga TikTok, Amazon, Apple, Facebook, Microsoft dhe Netflix. Cloudflare tregoi se të dhënat e saj grumbullohen përmes Cloudflare radar, i cili monitoron trafikun në web.
Besohet se një nga arsyet për rritjen kaq të menjëhershme të TikTok është pandemia e COVID-19, pasi kufizimet bënë që njerëzit të kërkonin për forma të ndryshme argëtimi ndërkohë që qëndronin në shtëpi.
Deri në korrik të këtij viti, TikTok është shkarkuar më tepër se 3 miliardë herë. Ky rrjet social nën pronësinë e kompanisë kineze të quajtur Bytedance, tashmë ka më tepër se 1 miliardë përdorues aktivë në mbarë botën, dhe ky numër është vazhdimisht në rritje.
TikTok u lançua në 2018, pasi u bashkua me një tjetër aplikacion kinez Musical.ly, ku njerëzit mund të shpërndanin video të tyret duke bërë lip-sync me këngët.
Tashmë aplikacioni po tenton të zgjerohet gjithnjë e më shumë, përmes shërbimit TikTok Kitchen i cili do të lançohet në janar, dhe njerëzit do të kenë mundësi të porosisin ushqime të ndryshme që e marrin origjinën nga videot virale në platformë.