Kryeministri Albin Kurti tha se procesi i dialogut me Serbinë në Bruksel nuk ka qenë i padobishëm. Ai tha se Kosova atje e ka arritur një marrëveshje të mirë.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se marrëveshja për reciprocitetin me Serbinë në çështjen e targave të automjeteve shënon një arritje për Kosovën, ndonëse pati vetëm dy takime të nivelit të lartë mes tij dhe presidentit serb.
“Është e vërtetë që janë zhvilluar vetëm dy takime në vitin 2021 midis meje dhe presidentit të Serbisë, por nuk ka qenë i padobishëm procesi i bisedimeve në Bruksel. Atje kemi arritur një marrëveshje sa i përket reciprocitetit të targave”, tha Kurti.
Ndërsa për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, Kurti tha se duhet të ndyshojë Serbia. Kryeministri tha se është i gatshëm për dialog dhe se pret ftesa për takime në vitin e ri.
“Tash për marrëveshjen ligjërisht të obligueshme, duhet të ndryshojë pakrahasimisht më shumë Serbia, ndërkaq se kur zhvillohen takimet në Bruksel megjithatë nuk varet prej meje, duke qenë se unë kam shprehur gatishmërinë time. Besoj që vitin e ardhshëm do të ketë edhe ftesa përkatëse për dialog, i cili i kontribuon paqes së qëndrueshme, stabilitetit afatgjatë, sigurisë rajonale, dhe ku përfitues janë qytetarët, e jo politikanët”, tha Kurti.